BE: Egjipti po humb besueshmërinë

04/02/2011 13:10

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, duke folur në emër të Bashkimit Europian theksoi se nëse regjimi egjiptian do të vazhdojë të përdorë dhunë, do të humbë edhe atë pak kredibilitet që i ka mbetur.

Deklarata u bë në mes të një samiti një-ditor në Bruksel, të dominuar nga bisedimet ekonomike dhe çështja egjiptiane.

”Hapat që ka marrë deri tani qeveria egjiptiane nuk kanë mundur të përmbushin aspiratat e njerëzve të thjeshtë egjiptianë”, deklaroi Cameron.

”Mesazhi që mund të jap në emër të të gjithë Bashkimit Europian është i qartë. Nëse do të vazhdojmë të shohim në rrugët e Kajros dhunë të sponsorizuar nga autoritetet, atëherë qeveria do të humbë edhe atë pak besueshmëri që i ka mbetur.

Egjipti duhet të ketë parasysh që sytë e të gjithë botës janë tek ai dhe nuk duhet të zhgënjejë qytetarët e tij dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Top Channel