Tarifa-Rrapi, drejtuesit e rinj të Portokallisë

03/02/2011 20:25

Këngëtarja Eneida Tarifa dhe humoristi Salsano Rrapi do të jenë drejtuesit e rinj të Portokallisë, zbuloi regjizori Altin Basha, në një takim me studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu, në Durrës.

Në prag të sezonit të ri, autorët dhe aktorët e spektaklit të humorit, kanë nisur takime në rrethe të ndryshme të vendit, për të testuar atë që kërkon opinioni i gjerë publik.

Takimi i sotëm me studentët durrsakë shërbeu për të prezantuar disa prej aktorëve të rinj të edicionit të ri të Portokallisë, ndërsa regjizori Basha i bëri thirrje studentëve që të bashkëpunojnë me emisionin.

”Mjaftojnë edhe vetëm dy rradhë email, që ju të bëheni pjesë e Portokallisë”, deklaroi Basha. “Do të na shërbente shumë të dimë se cili është impakti i spektaklit tonë midis jush, në bisedat që bëni me njëri-tjetrin, pedagogët e prindërit”.

Basha u shpreh se ai dhe drejtuesit e tjerë të Portokallisë janë gjithmonë të hapur për sugjerime dhe ide të reja, në mënyrë që të ngrenë gjithmonë e më shumë cilësinë e emisionit.

Midis sugjerimeve të studentëve, të cilët patën edhe një hapësirë për t’i kërkuar autografe idhujve të tyre, ishte ai i më shumë batutave spontane ose i shfaqjeve pa skenar.

Top Channel