Turqia kërkon ndryshime në Egjipt

02/02/2011 18:35

Turqia lëshoi një thirrje të qartë për ndryshime në Egjipt, ndërsa Izraeli dhe partnerët e tij perëndimorë i druhen rrezikut të largimit nga pushteti të presidentit Hosni Mubarak.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan, i konsideruar si politikani me më shumë influencë në Lindjen e Mesme, bëri deklaratën e tij gjatë pasdites, në një vizitë shtetërore në Kirgistan.

”Është e domosdoshme që të lajmërohet një plan i ri për Egjiptin dhe masat të jenë të tilla, që të qetësojnë njerëzit që protestojnë prej ditësh”, deklaroi Erdogan.

”Asnjë qeveri nuk mund të bëjë të shurdhërt veshin, përpara kërkesave demokratike të popullit që drejton. Historia tregon se asnjë qeveri autoritare që shtyp vullnetin e njerëzve, nuk ka mundur të rezistojë gjatë në kohë”.

Deklaratat pritet të rrisin kapitalin politik të Erdogan-it në botën arabe, ku ai u shndërrua në një hero pas deklaratave të vendosura kundër Izraelit, për sulmin në Gaza në janar 2009.

Top Channel