Egjipt, opozita: Të ikë mubarak

02/02/2011 15:20

Pavarësisht premtimit të presidentit Hosni Mubarak për të mos rikandiduar në zgjedhjet presidenciale të shtatorit, egjiptianët kërkojnë largimin e tij të menjehershëm.

Mbi 2000 protestues u mblodhën në Sheshin Tahrir, epiqendra e protestave, duke thënë se shumë nga premtimet e tij ishin të pamjaftueshme.

Kishte dhe nga ata që përkrahen fjalimin e tij, me nje fund patriotik, por nga qendra e Kajros gjëmonin: “Ne nuk ikim, të largohet ai”.

Udhëheqësi i opozitës, Mohamed El Baradei e quajti fjalimin e Mubarak një “dredhi” për të qënndruar në Egjipt, ndërsa protestuesit u zotuan se nuk do ta braktisin Sheshin Tahrir derisa ai të largohet.

Presidenti amerikan, Barack Obama, pas fjalimit të Mubarak deklaroi se tranzicioni duhet të nisë menjëherë, ndërsa kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan tha se Mubarak duhet të ndërmarrë një tjetër hap.

“I drejtohem popullit të Egjiptit, vecanerisht të rinjve për të cilët dua të jem i qartë. Ne e degjojmë zërin tuaj. Kam një besim të palëkundur se do të përcaktoni fatin tuaj dhe të kapni premtimin për një të ardhme me të mirë për fëmijët dhe niperit tuaj”, deklaroi Obama.

Pas ditësh presioni ndaj Mubarak për të folur për shqetësimin e popullit, i cili prej një jave mbush rrugët e qyteteve kryesore të vendit, Obama caktoi ambasadorin Frenk Wisner, në detyrën e të dërguarit special, përmes të cilit i kërkoi privatisht presidentit egjiptian të përgatisë vendin për tranzicionin.

Abdel Halim Kandil, lideri i lëvizjes opozitare Kifaya, tha se oferta e Mubarak për të mos kërkuar një mandat të gjashtë nuk është aspak e mjaftueshme.

“Po ua them shumë thjesht se është një lëvizje e paprecedent popullore që kundërshton praninë e presidentit me një qellim që nuk është parë më parë, ështe thirrja që vullneti i popullit të vendoset. Mubarak sot u inkurajua në takim me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara, Frenk Wisner, sepse amerikanët kërkojnë që ai të qendrojë në pushtet, që ai të rregullojë gjithcka përpara se të ikë. Vullneti i takon popullit egjiptian dhe jo administratës amerikane që dëshiron Mubarak”, theksoi Kandil.

Nëse Mubarak nuk jep dorëheqjen menjëherë, atëherë protestuesit kanë planifikuar një tjetër marshin të premten përpara pallatit presidencial.

Gjatë fjalimit të tij të martën, Mubarak kritikoi protestat dhe tha se përparësia është të kthejë paqen dhe stabilitetin në Egjipt.

Top Channel