Çmendet bursa e Londrës

02/02/2011 08:10

Demonstratat e dhunshme në Egjipt, të cilat kanë hyrë në ditën e 9-të, dhe vlerësimet e fundit të agjencive mbi situatën ekonomike të vendit arab, po japin ndikime të frikshme në tregjet botërore të naftës.

Për herë të parë që prej tetorit të vitit 2008, nafta BRENT në bursën e Londrës ka kapërcyer nivelin e 100 dollarëve për fuçi.

Disi më qetë paraqitet situata në bursat amerikane, por që gjithsesi mbeten me ankth dhe sy drejt botës arabe, e cila po përfshihet në protesta të shumta.

Në bursën e Nju Jorkut, nafta ka prekur nivelin maksimal të dy viteve të fundit, me 92.19 dollarë për fuçi, me rritje 2.85 dollarë, por duke qëndruar poshtë çmimit që ofron bursa e Londrës.

Edhe pse Egjipti nuk është eksportuesi kryesor i naftës në botë, fakti që kontrollon Kanalin e Suezit, përmes të cilit kalojnë çdo ditë 2.5 milionë fuçi, ka dhënë ndikim kryesor në tregjet europiane që presin furnizimet.

Sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Abdullah al-Badri, tha se vendet e kartelit do rrisin prodhimin nëse ngjarjet e Egjiptit do ndikojnë në furnizimin e vendeve konsumatore, por shtoi se nuk priste që trazirat politike të prekin nivelin e punës së tubacioneve të naftës në ngushticën mes detit të Arabisë dhe atij Mesdhe.

Kurse tregtarët në Nju Jork, Mercantile Exchange, NYMEX, vendi më i madh në botë i shkëmbimit të lëndëve të para, thonë se rritja e çmimit të naftës është një reagim fillestar ndaj ngjarjeve politike në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Mendoj se është një reagim i momentit, por besoj se të gjithë tregtarët duan të shikojnë se çfarë ndikimi do kenë ngjarjet e ndryshimit të regjimit politik në Egjipt në të gjithë balancën e pushtetit në Lindjen e Mesme”, – thotë Tim Jennings, president i ‘Vantage Trading’, në NYMEX.

Top Channel