Berlusconi, gati fillimi i gjyqit

02/02/2011 16:10

Prokurorët italianë janë duke mbledhur provat e fundit të çështjes Berlusconi dhe gjykata mund të nisë procedimin që në javën e ardhshme, lajmërojnë sot mediat italiane.

Kryeministri i Italisë akuzohet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitura me pagesë. Dosja do t’i paraqitet gjykatës të hënën ose të martën, thonë burimet brenda prokurorisë.

Gjykata duhet të shprehet për fillimin e procedimit brenda pesë ditësh, edhe pse afati mund të shtyhet me disa ditë të tjera, për qartësime të nevojshme.

Prokurorët besojnë se kanë mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Berlusconi ka patur marrëdhënie me disa vajza minorene.

Në Itali, kryerja e marrëdhënieve me femra më të reja se 18 vjeç përbën një shkelje ligji. Kryeministri është mbrojtur duke e cilësuar të gjithë procesin një farsë dhe një sulm politik.

Akuza e marrëdhënieve seksuale me të mitura dënohet nga gjashtë muaj, deri në tre vjet burg sipas kodit penal italian.

Top Channel