Vllazëria Myslimane, opozita e Egjiptit

01/02/2011 12:40

Vllazëria Myslimane, ose al-Ikhwan al-Muslimun, është organizata islamike më e vjetër në Egjipt.

E themeluar nga Hassan al Banna në vitin 1920, grupi ka influencuar në lëvizjet islamike në mbarë botën, me modelin e tij të politikës aktive të kombinuar me punë bamirësie islamike.

Fillimisht lëvizja synonte vetëm të përhapte moralin islamik dhe punën e mirë, por shumë shpejt ajo u përfshi në politikë, në vecanti në luftën kundër kolonizimit të Egjiptit nga Britania dhe më pas në largimin e influencës perëndimore në vend.

Sot, Ikhwan bën opozitë në publik kundër Partisë Demokratike Kombëtare të presidentit Hosni Mubarak, që është në pushtet që prej vitit 1981.

Drejtuesit e Ikhwan thonë se mbështesin parimet demokratike dhe se një nga synimet e tyre është të krijojnë një shtet të qeverisur nga ligji islamik, i njohur ndryshe si Sharia. Parulla e tyre kryesore që përdoret në mbarë botën është: “Islami është zgjidhja”.

Top Channel