Irlanda përzë diplomatin rus për spinazh

01/02/2011 16:20

Irlanda urdhëroi përjashtimin e një diplomati rus nga vendi, pasi një hetim arriti në përfundimin se ai kishte vjedhur gjashtë pasaporta të qytetarëve irlandezë, për t’i përdorur ato si mbulim në një operacion spiunazhi në SHBA.

Lajmin e informoi gjatë drekës “Associated Press”. Dublini hapi një hetim gjashtë muaj më parë, pasi FBI zbuloi një rrjet spiunazhi rus prej 11 personash, të cilët hiqeshin si shtetas amerikanë. Disa prej tyre kishin përdorur pasaporta irlandeze për të lëvizur për në Rusi dhe në vende të tjera.

Në identitetin e fabrikuar përdoreshin mbiemra të zakonshëm në Irlandë, si Murphy apo Foley. Ministria e Jashtme Irlandeze thirri një ditë më parë për një takim ambasadorin rus dhe shprehu pakënaqësinë e thellë, së bashku me shpalljen “non grata” të diplomatit përgjegjës.

Autoritetet irlandeze nuk bënë të ditur emrin e diplomatit të përjashtuar nga vendi, ndërsa pritet që Moska të përjashtojë një diplomat irlandez së shpejti, pasi autoritetet ruse kanë vepruar gjithmonë në këtë mënyrë më parë në raste të ngjashme.

Top Channel