SHBA, sanksione si BE-ja ndaj Bjellorusisë

31/01/2011 21:35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë bashkuar vendeve të Bashkimit Europian, në sanksionet e tyre kundër presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.

Departamenti Amerikan i Shtetit lajmëroi më parë marrjen e këtyre masave, ndërsa qeveria e Minskut reagoi duke thënë se do të përgjigjet në mënyrë të njëjtë, pa specifikuar se si.

Pavarësisht se Bjellorusia liroi në fundjavë liderin e dytë të opozitës të mbajtur midis qindra protestuesve të arrestuar, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të fituar një reagim më pozitiv nga perëndimi.

Brukseli lajmëroi një seri masash më parë, midis të cilave ngrirja e aseteve dhe anullimi i të drejtës së hyrjes në zonën Schengen, për Lukashenkon dhe 158 zyrtarë të lartë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorrën të njëjta sanksione sot. Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi u konsideruan si të manipuluara.

Vende të tjera europiane, si Suedia dhe Polonia kanë ndërmarrë në mënyrë të njëanshme një bllokadë ekonomike, por BE argumentoi se nuk do të ndiqte të njëjtën rrugë, pasi nuk do që të jenë qytetarët e thjeshtë ata që do të paguajnë çmimin.

Top Channel