Izraeli: Kërcimi islamik, serioz në Egjipt

31/01/2011 20:40

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pranoi shqetësimin e thellë të qeverisë së tij për rrezikun e ngjitjes në pushtet të militantëve islamikë në Egjipt.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren Gjermane, Angela Merkel, në Jeruzalem, Netanyahu tha: “Në një gjendje kaotike, një grup i organizuar islamik është në gjendje të marrë drejtimin e një vend.

Kjo ka ndodhur edhe më parë me Iranin. Kalimi nga një regjim autoritar në një regjim islamik, që do të vazhdojë të shtypë edhe më rëndë të drejtat e liritë e njeriut, do të ishte tragjik për popullin egjiptian dhe një kërcënim serioz për paqen”.

Në ditët e para të krizës egjiptiane, Kryeministri Izraelit ishte shprehur se po ndiqte me vëmendje situatën e krijuar në vend, por kjo është deklarata e parë serioze që Netanyahu bën rreth situatës në Egjiptin fqinj.

Nga ana e saj, Angela Merkel, qëndroi në linjën e shpallur më parë nga Bashkimi Europian, duke theksuar se kalimi  në një demokraci të plotë në Egjipt duhet të ndodhë në mënyrë paqësore.

Top Channel