Egjipt, me qindra mijëra në protesta

31/01/2011 15:35

Me dhjetëra mijëra protestues janë grumbulluar në Kajro dhe qytetet e tjera të rëndësishme të Egjiptit, ndërsa demonstratat e dhunshme anti-qeveritare hyjnë në ditën e tyre të shtatë.

Presidenti Hosni Mubarak bëri të ditur kabinetin e tij të ri një ditë më parë, por protestuesit kërkojnë largimin e tij pas 30 vitesh në pushtet.

Pavarësisht se ushtria ka dalë në rrugë dhe mbi 100 persona janë vrarë deri tani, njerëzit vazhdojnë të grumbullohen. 50 mijë persona janë llogaritur vetëm në sheshin kryesor të Kajros.

Nobelist i paqes dhe lideri kryesor i opozitës në Egjipt, Mohamed El Baradei, deklaroi se nuk ka më kthim pas, ndërsa një grevë e përgjithshme është deklaruar në vend.

Pavarësisht se Mubarak-u konsiderohet si një udhëheqës autoritar, vendet perëndimore nuk kanë mbështetur hapur lëvizjet kundër tij, nga frika se një regjim islamik mund të marrë drejtimin në vendin më të populluar arab, me 84,5 milion banorë.

Ditën e nesërme është deklaruar mbajtja e manifestimit më të madh që prej fillimit të protestave. Me miliona njerëz pritet të dalin në rrugë në të gjithë vendin, pavarësisht se organizimi i tyre është bërë më i vështirë nga ndërprerja e internetit dhe telefonisë celulare në vend.

Top Channel