Protesta popullore në Egipt

30/01/2011 12:45

Udhëheqësit botërorë i kërkuan presidentit egjiptian Hozni Mubarak të shmangë dhunën dhe të dekretojë reformat.

Presidenti amerikan, Barak Obama u takua me zyrtarët e sigurisë kombëtare për të diskutuar situatën në Egjipt. Pas kësaj, përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë bëri thirrje për vetëpërmbatje, duke mbështetur të drejtat universale si dhe hapat konkrete që do të çojnë përpara reformën.

Po kështu, përmes një deklarate të përbashkët, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i drejtuan një apel presidentit egjiptian të shmangë me të gjitha mënyrat dhunën kundër civilëve të paarmatosur dhe demostruesve që ushtrojnë të drejtat e tyre paqësisht.

Gjatë pesë ditëve të protestës numërohen mbi 100 të vdekur dhe 2000 të plagosur, ndërsa ende nuk duket asnjë shenje qetësie pavarësisht se Mubarak ia besoi postin e zv/presidentit shefit të shërbimeve sekrete, Omar Sulejman, një post që nuk kish ekzituar gjatë 30 vjeteve të tij në pushtet.

Si kryeministër ai emëroi ish-ministrin e Aviacionit, Ahmed Shafiq. Ambasada e SHBA-së në Kajro i bëri thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të lënë Egjiptin sa më shpejt të jetë e mundur. Fluturimet e shpërnguljes së tyre do të nisin të hënën.

Pas një nate shtetrrethimi, situata në Kajro duket e qetë, por kryeqyteti vigjilohet nga ushtria, me tanke nga toka dhe helikopterë nga qielli.

Siç raportojnë mediat, ndalim-qarkullimi do të vazhdojë edhe të henën në mëngjes, duke nisur nga ora 4 e pasdites deri në orën tetë të mëngjesit që vjen. Banorët nisën të heqin barrikadat e ngritura për tu mbrojtur nga keqbërësit. Bankat, tregjet, shkollat do të vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Në Aleksandri raportohet për vjedhje dhe plaçkitje të supermarketeve, por edhe muzeumeve. Situata duket e keqe veçanërisht në Kajro, Aleksandri, Luksor dhe Suez.

Gjendje kaotike është dhe në burgje. Mijëra të burgosur kanë dalë nga burgu i Vadi Natrunit, që ndodhet në veri të Kajros. Të shtunen, të tjerë të dënuar ia mbathën nga burgu i Kalifas.

Tetë persona u vranë dhe 123 u plagosën në përleshje me policinë, ndërsa përpiqeshin të iknin nga burgu Abu Zaabal.

Autoritetet egjiptiane vendosën të mbyllin zyrën e televizionit Al Xhazira në Kajro, një prej burimeve kryesore të informimit në vend.

Top Channel