SHBA, lutjet e së premtes

29/01/2011 16:30

Xhamia “Mashid Nur al Islam” në Bronx të Nju Jorkut u mbush plot me besimtarë për lutjet tradicionale të së premtes, por edhe pse nuk kishte më vend brenda, një grup të rinjsh vendosën t’i kryenin lutjet e tyre jashtë në rrugë, në mesin e të ftohtit dhe dëborës.

Një shtresë e trashë debore prej gati 50 centimetrash mbuloi Nju Jork City-n të enjten, pothuajse po aq sa ajo e fundjavës së Krishtlindjeve që e paralizoi qytetin krejtësisht.

Pas pirgjeve të saj, besimtarët dëgjonin lutjet e imamit, që mbërrinin deri jashtë xhamisë falë një megafoni.

Godina e vogël nuk ka vend për më shumë se 300 vetë dhe sidomos të premteve, mbushet plot. Por për të devotshmit, vendi ka pak rëndësi.

“Nuk ka rëndësi, bie shi, borë apo bën furtunë përjashta, ne prapë do të vijmë. E gjitha ka të bëjë me vendosmërinë e njeriut, kur duam një gjë, e bëjmë pavarësisht kushteve”, është shprehur një besimtar.

Dikur shumë e vogël në numër, popullsia myslimane në Shtetet e Bashkuara ka ardhur në rritje.

Myslimanët e lindur të tillë janë kryesisht afro-amerikanë, ndërsa dekadat e fundit është vënë re një shtim i ndjeshëm i numrit të të konvertuarve në fenë islame.

Në të gjithë territorin amerikan numërohen rreth 1200 xhami, më e madhja e të cilave ndodhet në Dearborn të Michiganit.

Ajo u rindërtua në 2005-n, për të akomoduar mbi 3 mijë persona, si përgjigje ndaj shtimit të popullsisë myslimane në rajon.

Top Channel