Protesta pro demokracisë edhe në Jordani

29/01/2011 19:25

Protestat pro-demokracisë janë shtrirë deri në Jordani.

Vala e rebelimit popullor në mbarë botën arab-folëse që nisi me protestën në një qytet të vogël të Tunizisë, trazoi peisazhin politik të Egjiptit, nxori me dhjetëra jemenas në rrugë me thirrjet për ndryshim demokratik e tani, ka frymëzuar dhe jordanezët që kërkojnë ndryshimin e qeverisë.

Ata po shprehin zemërimin për punën e kryeministrit Samir Rifai dhe rritjen e çmimit të ushqimeve që po rrezikon t’i zhysë njerëzit në varfëri.

Në kryeqendrën Aman dhe në 6 qytete të tjera, njerëzit kanë zbritur në rrugë me kërkesën për reforma politike dhe ekonomike.

Partitë opozitare, një nga të cilat ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, kërkojnë një qeveri të zgjedhur në Jordani, kabineti aktual i së cilës është caktuar nga mbreti Abduallh i Dytë.

Për momentin protestat në Jordani janë ende të një shkalle relativisht të vogël, por organizatorët thonë se demonstratat do të përshkallëzohen me objektivin e qartë të detyrohet mbreti të mbajë zgjedhje për parlamentin e vendit, pasi të shpërbëjë kuvendin aktual.

Top Channel