Ina Rama: Nuk tërhiqem nga gardistët

25/01/2011 16:50

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka njoftuar në një konferencë për shtyp se institucioni që ajo drejton i ka dërguar një kërkesë zyrtare ambasadës amerikane në Tiranë, për të dhënë asistencë teknike në lidhje me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.

Kryeprokurorja, në krahë të ambasadorit amerikan, Arvizu, ka theksuar se do t’i shkojë hetimit deri në fund me ndihmën e SHBA-ve, në mënyrë që ky proçes të jetë sa më i plotë dhe i besueshëm.

“Jemi të ndërgjegjshëm se hetimi i këtyre ngjarjeve paraqet vështirësi për shkak të kompleksitetit të ngjarjes, për shkak të pëfshirjes së institucioneve shtetërore që kanë qenë me detyrë në mbrojtje të institucioneve, nevojës për të zbardhur ngjarjen dhe situatës politike. Duke ndjerë detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen e hetimit, kërkoj mbështetjen e ambasadës amerikane në hetimin e kësaj çështjeje, në dhënien e një asistence teknike. Kjo ka të bëjë me disa aspekte që lidhen me proçedurat e hetimit. Kjo do të sjellë që hetimi të jetë më i arrirë dhe më i besueshëm”, tha Rama.

“Kemi angazhuar të gjithë trupën e prokurorëve të rrethit gjyqësor Tiranë që kanë kryer me shumë përgjegjësi dhe përkushtim mbledhjen e të dhënave të para, pas ndodhjes së ngjarjes. Këto të dhëna janë të nevojshme t’i nënshtrohen një sërë ekzaminimesh, konkluzionet e të cilave janë shumë të rëndësishme për nxjerrjen e një hetimi të pavarur dhe të gjithanshëm, ndihma do të garantojë një standard të madh në besueshmërinë e saj”, deklaroi ajo.

Duke folur për urdhër-ndalimet ndaj efektivëve të Gardës së Republikës, prokurorja e përgjithshme ka deklaruar se ekzekutimi i tyre do të jepte më shumë detaje për zbardhjen e çështjes dhe do e bënte më të lehtë vijimin e hetimit.

“Nëse urdhër-ndalimet do të ishin ekzekutuar do të kishim pasur më shumë të dhëna për hetimin”, theksoi Rama.

“Është folur për fletë-arreste, por janë urdhëra-ndalimi të cilat lëshohen për personat e dyshuar për një vepër. Kemi pasur dyshime se këta persona kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e të premtes. Është gjithçka për t’u verifikuar më tej dhe vetë pjesa e ekzekutimit të ndalimeve do na ndihmonte në zbardhjen e çështjes”, tha kryeoprokurorja.

“Në lëshimin e urdhërave të ndalimit kemi pasur në konsideratë edhe nenin 254 që është përfolur si një nen që na pengon në lëshimin e urdhër-ndalimeve”, sqaroi ajo.

Pyetjeve të gazetarëve për ngritjen e komisionit hetimor, zonja Ina Rama iu përgjigj kështu:

“Komisioni hetimor është një vendimarrje politike, unë nuk marr përsipër ta gjykoj. Ndërkohë do vazhdojmë të hetojmë”.

Ndërsa në lidhje me deklaratat e kryeministrit Berisha ditët e fundit për ekzistencën e një puçi politik, prokurorja e përgjithshme deklaroi:

“Janë akuza në planin politik, presim që këto materiale të na i sjellë policia”.

Top Channel