Topi: Shtet ligjor, hetim profesional

24/01/2011 20:20

Presidenti i Republikës priti të hënën pasdreke kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, me kërkesë të këtij të fundit. Zoti Rama erdhi në Presidencë për të shpalosur shqetësimet e tij për situatën më të fundit në vend. (UPDATE)

Pikërisht për shkak të kësaj situate të nderë, institucioni i Presidentit u kujdes që të nënvizojë qëndrimin e kreut te shtetit dhe përvec njoftimit në faqen e internetit, sic ndodh rëndom, thirri edhe një komunikim për mediat.

“Institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu sikurse është edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve. Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale!”, deklaroi zëdhënësja Mimoza Kociu.

Gjithashtu kreu i shtetit, përmes zëdhënëses së tij, mbështeti edhe një herë zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar, duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit.

“Vetëm shteti ligjor është garancia e një vendi demokratik dhe ai duhet të respektohet nga cilido!”, u shpreh presidenti Topi.

Analizë:

Një lexim i kujdesshëm i kësaj deklarate të bën kuptosh se për kreun e shtetit, askush nuk është i larë dhe askush nuk është pa faj në atë që ndodhi më 21 janar.

Dy paragrafët e fundit të deklaratës së tij japin thelbin e mendimit të kreut shtetit për atë që po ndodh aktualisht në vend. Formulimi i mendimit vërtet është i kujdesshëm, por është konkret dhe i formuluar në atë rradhë që ngjarjet kanë ndodhur. Institucionet dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm.

Por po aq të shenjtë janë edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve. Ky detyrim për të ruajtur jetën e qytetarëve është i sanksionuar në fakt edhe në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, të cilit i nënshtrohet si Policia e Shtetit edhe Garda e Republikës.

Në cdo rrethanë, e drejta për të protestuar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale, ndërkohë që në demonstratën e 21 janarit njerëzit u lanë të lirë pa u udhehequr.

Në cdo rast, e vërteta dhe përgjegjësitë për atë që ndodhi mund të dalin vetëm nga një hetim tërësor, i paanshëm, profesional dhe transparent. Për këtë nevojitet bashkëpunimi i institucioneve të zbatimit të ligjit.

Thënë me fjalë të tjera, policia duhet t’i përgjigjet kërkesave të prokurorisë dhe të dyja këto, duhet t’i binden verdiktit të gjykatave. Pra, duke përmendur bashkëpunimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, kreu i shtetit e mbeshtet prokurorinë, të cilën mazhoranca e ka cilësuar si puciste.

Por duke evokuar ligjin, presidenti duket se nuk e përjashton nga hetimi as punën e komisionit hetimor, tagri i të cilit për të hetuar pa ndërhyrë në punën e prokurorisë, mbështetet në ligj, komision hetimor ku opozita ka vendet e saj bosh, gati për t’i zënë në cdo moment.

Pavarësisht se nuk ka gjasa që opozita të bëhet pjesë e hetimit të nisur nga mazhoranca, sipas presidentit, vendi do të jetë vërtet demokratik vetëm kur të zbatohet shteti ligjor nga të tërë.

Top Channel