Manifestimet që na mbërthyen përpara ekranit

24/01/2011 19:10

Emisioni i pasdites në Top Channel studioi sot efektin mediatik të manifestimeve të fundit tek shqiptarët, të cilët që prej 21 janarit gjenden “të ngujuar” përpara ekranit të televizorëve.

Të shtyrë nga shqetësimi, nga fakti që ajo protestë e dhunshme morri pamjen e një filmi aksion të vërtetë apo si një mënyrë për të qenë në kontakt me realitetin, është fakt që telekomanda nuk ofroi asgjë tjetër veç protestave në ato ditë.

”Që nga ai moment kam mbetur e ngulur në ato ngjarje” apo “kam parë televizor më shumë se kurrë në jetën time, aq sa harrova të haja edhe bukë”, ishin disa prej komenteve të natyrshme të njerëzve të rastësishëm në rrugë.

Baret e lokalet, ndonëse nuk janë shpopulluar, qëndrojnë në qetësi kur shfaqen edicionet e lajmeve apo kur bëhet ndonjë deklaratë e çfarëdoshme rreth ngjarjeve. Manaxherët e lokaleve tregojnë se tema kryesore e të gjithë bisedave në këto ditë të fundit kanë qenë ngjarjet e ndodhura.

”Klientët më kërkojnë që të heq muzikën dhe të ngre zërin e lajmeve. Të gjithë ishin të interesuar se çfarë po ndodhte”, thotë Olsi Mingomataj, antar i dikurshëm i Big Brother dhe sot manaxher i një lokali. “Ne këtu kemi vetëm një televizor, në një skaj anësor dhe të gjithë njerëzit janë ulur në ato tavolina, të cilat zakonisht nuk i preferon asnjeri”.

Ndërsa këto ditë kanë thyer rekorde të audiencës së televizioneve shqiptare, mendimet për rolin e medias në rrjedhën e ngjarjeve janë kontradiktore. “Media ka treguar me të vërtetë në këto ditë se është pushteti i katërt”, thotë Elert Yzeiri, drejtor i lajmeve në Top News.

”Media ka funksion parësor të saj informimin. Nëse do të bëjmë një gjykim të dytë për atë që do të ndodhë, këtë do ta përcaktojë fillimisht teleshikuesi, pra ai do të zgjedhë ta shohë këtë thjesht si një informacion apo një reality show”.

Mendimi që kundërshton këtë konstatim është se mediat e kanë tejkaluar me mbulimin e tyre, duke shkaktuar për vete acarim gjakrash. “Duke reflektuar mbi ngjarjet e 21 janarit, mendoj se mediat duhet të niseshin më shumë se vetëm nga dëshira për kapjen e audiencës maksimale”, thotë Ermal Hasimja.

”Fatkeqësisht, mediat kryesore e lanë veten që të instrumentalizohen thellësisht nga politika dhe kjo mendoj se sjell pasoja shumë të rënda, sepse një pjesë e tyre kanë arritur deri atje sa të nxisin përplasje”.

Duke përfunduar me Yzeirin, ai mbron idenë e tij duke u justifikuar se edhe qëndrimet janë pjesë e realitetetit: “Deklaratat politike janë të vështira për t’u interpretuar dhe nuk është detyra e medias t’i interpretojë. Unë mendoj që politika nuk duhet të jetë aq prezente, por ne nuk mund të shkëputemi nga realiteti”…

Top Channel