Historia e HEC-it të Shushicës

20/01/2011 15:45

“Përfaqësuesi i kësaj kompanie, pasi ka vërejtur zvarritje dhe mosprotokollim të vendimit të Gjykatës së Apelit, është drejtuar tek unë me vendimin e formës së prerë të Apelit që kërkonte që kjo kompani të vlerësohej, dhe unë këtë problem ia kam paraqitur ish-ministrit”.

Por vendimi i Gjykatës së Apelit, të cilin zoti Meta pretendon se ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti po e zvarriste, flet ndryshe.

Data e vendimit është në 18 qershor 2010, 3 muaj e gjysmë pas bisedës së përgjuar të Ilir Metës me Dritan Priftin.

Ditën kur zoti Meta shkoi tek ish-vartësi i tij politik për ta urdhëruar atë që t’ia jepte tenderin e Shushicës kompanisë në të cilën kishte aksione dhe ish-deputeti Ymer Tola nuk ka patur vendim dhe cështja ka qenë ende duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit.

Top Channel zotëron dokumentin zyrtar që dokumenton të gjithë historinë e konfliktit gjyqësor për tenderin e këtij hidrocentrali.

Konflikti nisi kur Agjencia e Prokurimeve Publike urdhëroi Ministrinë e Ekonomisë të skualifikojë nga tenderi kompaninë e ish-deputetit Tola, për shkak se binte ndesh me ligjin për konfliktin e interesit, sipas të cilit deputetët nuk lejohen të marrin tendera publikë.

Pas këtij vendimi, kompania në fjalë e coi cështjen në gjykatë duke ngritur dy padi. E para kërkonte ngrirjen e procedurave të tenderit derisa të mbaronte konflikti gjyqësor dhe e dyta ishte për anulimin e vendimit të Agjencisë së Prokurimeve që skualifikoi kompaninë.

Gjykata e shkallës së parë vendosoi ngrirjen e tenderit ashtu sic kërkonte kompania, por rrëzoi padinë ndaj Agjencisë së Prokurimeve duke e quajtur të drejtë vendimin e saj për skualifikim.

Më pas cështja shkon në Gjykatën e Apelit, sërish me dy padi. Gjykata e Apelit fillimisht ka vendosur ngrirjen e procedurave të tenderit, vendim i cili urdhëronte Ministrinë e Ekonomisë të mos shpallte asnjë fitues pa mbaruar gjykimi i cështjes.

Ky vendim i ndërmjetëm për masën e sigurisë është marrë në dhjetor 2010. Pra, në kohën kur është bërë biseda mes Metës dhe Priftit ka ekzistuar vetëm ky vendim i Gjykatës së Apelit, që kërkonte ngrirjen e procedurave të tenderit.

Ndërkohë që vendimi i dytë, nëse kompania duhej të rikthehej në tender, sërish ende nuk ishte dhënë. “Ky është një vendim i Gjykatës së Apelit, i formës së prerë për vazhdimin e procedurave.

Vendimi tjetër është për gjykimin e cështjes në themel dhe në bazë të këtij vendimi duhet të vazhdonin procedurat”, deklaroi pak ditë më parë Meta.

Top Channel