KE: Politika të jetë gjakftohtë

18/01/2011 20:20

Komisioni Europian u bën thirrje politikanëve në Tiranë që të ruajnë gjakftohtësinë e të tregojnë respekt ndaj njeri-tjetrit. Këtë përgjigje dha zëdhënësja e re e komisionerit Fule, Natasha Butler, e pyetur mbi gjuhën e përdorur një ditë më parë në sallën e parlamentit shqiptar.

“Nuk është në përvojën e Komisionit të komentojë për çdo ngjarje apo incident në Shqipëri. Ajo çfarë është shumë e qartë është fakti që dhe Këshilli dhe Parlamenti Europian kanë bërë thirrje për zgjidhje të ngërçit politik. Në mënyrë që të zgjidhet ngërçi, nevojitet që të gjithë liderët politikë të tregojnë gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje kur i drejtohen njeri-tjetrit. Kjo është e rëndësishme, qofshin këta anëtarë të qeverisë apo të opozitës. Ata duhet të përdorin mjetet e duhura për të krijuar bashkëpunimin politik. Kur them ‘mjetet e duhura’ kam parasysh si në thelb, ashtu dhe në retorika, pasi kjo është e nevojshme për krijimin e dialogut politik, për respektimin e tjetrit, të respektojnë mendimin ndryshe, e të gjejnë mjetet për të ndërtuar në mënyrë institucionale pjekurinë politike. Ne mund të shohim ligjet e ndryshme që Shqipëria duhet të miratojë me shumicë të cilësuar për integrimin europian e ky përbën një nga prioritetet kyçe nga 12-të që përcaktoi komisioni në nëntor. Pikërisht, prioriteti numër 2 bën fjalë për ligjet e zvarritura që kërkojnë shumicën dhe si qeveria dhe opozita, të dyja, duhet të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi politike, të gjejnë rrugën sesi t’i flasin njeri-tjetrit me qetësi e të gjejnë një zgjidhje ndaj ngëçit politik”, është shprehur Butler.

E pyetur nëse mund të quhet presion ndaj Prokurorisë, deklarata e përsëritur e kryeministrit “se bëhet fjalë për video-montazh”, në një kohë kur hetimet nuk kanë përfunduar, zëdhënësja e KE-së Butler shmangu komentet mbi politikën, por përsëriti qendrimin e Komisionit mbi drejtësinë.

“Është e rëndësishme që sistemi i drejtësisë, sipas ligjit në Shqipëri, të bëjë detyrën e tij, të studiojë këto pretendime, provat dhe të gjitha materialet, e për të përfunduar, të mos ketë asnjë pengesë në kursin e drejtësisë. Ky aspekt është thelbësor për Shqipërinë, e cila duhet të dëshmojë me gjurmë të dhënash luftën ndaj korrupsionit. Nëse këto gjurmë të dhënash do jenë substanciale, mund të afrojnë Shqipërinë më pranë BE-së, duke përmbushur objektivat e kërkuar për t’u anëtarësuar një ditë në Bashkimin Europian”, deklaroi Butler.

Përsa i takon fyerjeve publike të kryeministrit Berisha ndaj medias, e veçanërisht ndaj drejtuesit të emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakuli, zëdhënënsja e komisionerit Fule rikujtoi se liria e medias është pjesë e kriterit politik të Kopenhagenit.

“Ajo që konsiderohet si kyçe për ne, brenda kuadrit të kriterit politik, është natyrisht liria e shprehjes, liria e medias, pasi këto janë të drejta themelore, mbi të cilat duhet të ndërtohet çdo demokraci e shëndetshme. Kjo është e rëndësishme për Shqipërinë, ashtu sikundër për çdo vend tjetër potencialisht kandidat të BE-së. Meqë Shqipëria ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE, kjo do të thotë se ajo duhet të tregohet në lartësinë e të gjitha pritshmërive që lidhen me liritë civile dhe të drejtat themelore. Kjo është gjithçka mund të them”, deklaroi Butler.

Në opinionin e Komisionit për Shqipërinë thuhet se “duhet forcuar liria e medias dhe pavarësia e saj  si dhe nevojitet që përhapja e influencave politike të adresohet”.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel