Udhëtim në fshatin që jeton me bukë e kripë

17/01/2011 20:10

Jetesa e pakonceptueshme me bukë e kripë, pa rrugë, pa spitale, pa mjete komunikimi me botën dhe me një shkollë që rrezikon të shëmbet e të zërë të gjithë fëmijët brenda nga dita në ditë, ishte tema e reportazhit “Shqipëria Tjetër”, në edicionin qëndor të lajmeve në Top Channel.

Fshati i quajtur Lojme, në komunën e Zapodit, Kukës, është i arritshëm vetëm pas dy orësh të gjata në këmbë, në një rrugë buzë një gremine disa qindra metra të lartë.

Kullat gri ngjajnë si mali i lartë në sfond, ndërsa shtëpitë dhe jetesa në këtë vend të harruar ngjan si e mbirë nga mesjeta.

”Jemi të varfër e s’kemi bukë për të ngrënë. Ziejmë dhe bluajmë koka misri, ja vetëm kështu jetojmë”, thotë një grua e moshuar, që kamerat e gjejnë duke tentuar të ngjitej mbi një hendek gurësh për të arritur në shtëpiën e saj disa metra më lart.

Varfëria materjalizohet në shtëpinë e parë që troket. Në një shtëpi, ose një kolibe prej 10 metrash katrorë, jetojmë tetë frymë. Prindër dhe gjashtë fëmijët kanë të ardhura prej vetëm 6 mijë lekësh në muaj.

”I kemi harruar shijen e gjërave të tjera që nuk janë bukë, kripë apo misër”, thotë Zylfete Kasa, gruaja e shtëpisë. Dhe kjo, në rastet më të mira, pasi shpesh herë sofra mbetet edhe e zbrazët.

Transporti i ushqimeve e gjithçkaje tjetër që poshtë nga rruga bëhet me krah e në rastin më të mirë me kafshë, por edhe mushkat e gomeret këtu janë luks i tepërt e numërohen me gishtat e njërës dorë, në një fshat që ka rreth 300 banorë.

”Në të vërtetë është për të ardhur keq. Askush nuk e di se ku bën pjesë apo në çfarë harte gjendet fshati Lojme”, thotë mes dëshpërimit një banor.

Në fshat, absolutisht asgjë nuk ndryshon. Herë pas here, shembet ndonjë shtëpi, dhe ky është variacioni i vetëm që përjeton fshati. “Rrugë makine jo, rrugë këmbësori jo, jemi në mëshirë të allahut. Askush s’na ka në defter”, shton Esat Krasniqi, një tjetër i pafat, të cilit i ka rënë për pjesë të jetojë në Lojme.

Sikur të mos të mjaftonte, çorbës së halleve të banorëve u shtohet edhe rrëshqitja e tokës, një fenomen që ndodh shpesh në fshat e që ka shkatërruar disa dhjetra banesa.

Isufi është një nga ata banorë që nuk ka më një shtëpi, e pavarësisht kësaj, askush nuk është kujtuar ta ndihmojë as nga pushteti lokal e aq me pak nga ai qëndror. Zgjidhja e vetme ka qenë të qëndrojë përkohësisht në banesën e një banori tjetër të larguar.

”Më mirë vdekje se sa këtu”, bëlbëzon i sëmurë Isufi, mendimi i të cilit ndahet nga të 300 shpirtrat që popullojnë fshatin.

Mesuesi është i vetmi i huaj që vjen këtu çdo ditë, në shi e deborë, pa u ndalur në një udhetim që nis në oren 6 të mëngjesit, për të qenë diku në orën 8 pranë shkollës.

”Shkolla është plasaritur dhe jetojmë me frikë se një ditë ajo mund të shembet dhe të na zërë të gjithëve brenda”, tha mësuesi, i prekur edhe ai nga dëshpërimi i përgjithshëm i fshatit të harruar në malësinë përreth Kukësit.

Top Channel