Afrika dhe tragjedia e pasurive kulturore

24/12/2010 13:00

Një pjesë e mirë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Afrikës është në rrezik shkatërrimi prej grabitjeve dhe dëmtimeve njerëzore, paralajmëroi UNESCO gjatë mesditës së sotme.

Ndërsa më pak se 10% e të gjitha vendeve të cilësuara si trashëgimi ndodhen në Afrikë, 40% e objekteve të trashëgimisë në rrezik zhdukje i takojnë pikërisht Kontinentit të Zi.

UNESCO, organizimi botëror i ngarkuar me ruajtjen e këtyre pasurive, ka vendosur në prioritet absolut këto objekte, por mungesa e bashkëpunimit me qeveritë lokale shpesh herë ka minuar rezultatet.

”Jemi shumë të shqetësuar për situatën aktuale”, deklaroi Lazare Eloundou, shef i departamentit afrikan të UNESCO-s. “Problemi më i madh është mbrojtja dhe konservimi i pasurisë, përkrah ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme për t’i bërë të vizitueshme. Megjithatë, konfliktet në shumë vende e bëjnë të pamundur një zhvillim të tillë”.

911 monumente apo lokalitete në botë janë konsideruara si të denja për të hyrë në listën e mbrojtjes së UNESCO-s, ndërsa 34 janë në rrezik shkatërrimi. Në Afrikë ekzistojnë 78 vende të mbrojtura, por 14 prej tyre janë në rrezik.

Një rinovim i të gjithë monumenteve afrikanë do të përfundojë në 2011-n, por Eloundu shtoi: “Shumë vende afrikane e kanë kuptuar me vonesën rëndësinë e trashëgimive kulturore. Kur një monument është në rrezik, është përgjegjësi e qeverisë vendase në radhë të parë dhe pastaj e UNESCO-s që të përpiqet të shpëtojnë objektin”.

Midis objekteve më të kërcënuara ndodhen katër parqe kombëtare në Republikën Demokratike të Kongos. Jeta e egër e kafshëve kërcënohet nga lufta civile dhe gjuetia e pakontrolluar. Shpyllëzimi është një tjetër problem i madh. Në një tjetër park janë vendosur një numër emigrantësh nga Ruanda.

Në Manovo-Gounda, në Republikën Qëndrore të Afrikës po zhduken rinocerontët, elefantët, çitat, gazelat dhe buajt. Gjuetia dhe zjarrvënia kanë shkaktuar 80% të parkut, ndërsa katër punonjës të UNESCO-s u qëlluan për vdekje prej rebelëve disa vite më parë.

Në Madagaskar në rrezik zhdukje janë gjashtë parqe kombëtare, për të njëjtat arsye si ato të paraqitura më lart. Kjo është veçanërisht tragjike në rastin e Madagaskarit, i cili si pasojë e shkëputjes prej kontinentit mijëra vjet më parë, ka zhvilluar një biodiversitet tërësisht unik.

Në Bregun e Fildishtë, Liberi dhe Guine pasuri të rralla kombëtare po shkojnë gjithashtu drejt zhdukjes, si pasojë e moskujdessjes së autoriteteve dhe vandalizmit të banorëve vendas, në atë që po rezulton të jetë një katastrofë e vërtetë për trashëgiminë kulturore të planetit.

Top Channel