Është ora 10 e natës. Ndërsa shumë prej nesh në këto ditë të ftohta dhjetori i gëzohen ngrohtësisë familjare, në rrugët e Tiranës, në parqe, nën qiell të hapur e në streha pallatesh ATA bëjnë krevat kartonët apo rreckat e mbledhura në koshët e plehrave.

Personazhi ynë bën këtë jetë prej 3 vitesh. Nuk dëshiron të na e tregojë emrin. Mbijeton duke mbledhur kanaçe. Strehëza e tij e natës është një hyrje pallati në zemër të Bllokut.

“Bëja një jetë normale, por gruaja pësoi aksident, shita shtëpinë dhe tani jetoj jashtë”, thotë ky personazh.

Shumë prej atyre që flenë jashtë natën, nuk kanë një vend të përcaktuar. Ndërsa 45-vjeçari thotë se ky është vendi i tij i përnatshëm. Sipas tij, i ftohti jashtë është njësoj kudo: “Është ftohtë, por me kartona mundohem që të rri sa më rehat.”

Por s’janë vetëm kartonët shtresat dhe mbulesat që ngrohin trupin e të pastrehëve. Cdo hedhurinë, apo automjet i dalë jashtë pëdorimit mund të kthehet në një vend më komod sesa këmbët e urave apo hyrjet e pallateve.

“Jeta jashtë është skëterrë. Në jetën e mëparshmë nëse do shikoja jetën e tanishme në ëndërr do e tregoja për një muaj me radhë”, shton ai.

Ata përballen me frikën, edhe pse ne kur u kalojmë afër i nxitojmë hapat. Janë njerëz që flenë jashtë. Pa identitet. Por këtu personazhi ynë na korrigjon: “Na quajnë barbonë. Uroj që nesër të mos e bëj këtë jetë.”  

Edhe personazhi ynë dëshiron të fshihet pas këtij emri. Ai ua ka fshehur dhe të afërmve të tij jetën që bën aktualisht, duke u thënë se natën punon roje: “Nuk dua t’i bëhem barrë njeriu. Secili është me halle dhe problemet e veta. Kjo e imja nuk është çështje e 2-3 ditëve. Nuk i dihet se sa mund të zgjasë gjendja ime.”

Kjo është eksperienca e këtij njeriu, por dhe shumë të tjerëve që bëjnë të njëjtën jetë. Në Tiranë numërohen rreth 100 njerëz që natën e gdhijnë jashtë.

Ata që bëjnë këtë jetë zgjohen çdo ditë me të njëjtën ëndërr. Është ëndrra e shpresës se një ditë do të gjejë një punë stabël dhe mundësinë për të mbajtur një shtëpi me qira. Ëndrra  e kthimit në jetën e dikurshme, kur në këto ditë të ftohta dhjetori binin për të fjetur në një shtrat të ngrohtë me një gjumë pa makthe.

“Shpresoj që nesër të jem prapë ai që kam qenë”, përfundon personazhi.

Top Channel