Mjeku kirurg Prof. Agron Dogjani ngre me shqetësim mënyrën se si qytetarët ndihmojnë të aksidentuarit në rrugë.
“Vijnë me makinën e tyre duke bërë që të humbin shumë gjak rrugës e duke vështirësuar trajtimin. Vijnë me çarje të gojës, me thyerje të dhëmbës se kanë dashur t’i ndihmojnë”, tha mjeku kirurg, Prof. Agron Dogjani.
Instituti i Shëndetit Publik duhet të rrisë edukimin shëndetësor tek qytetarët.
“I hedhin ujë të ftohtë pacientit, ose i japin ujë kur ai mund të ketë rënë në gjendje kome. ISHP duhet të bëjë edukimin shëndetësor të qytetarëve”, tha profesori Dogjani.
Profesori Dogjani ngriti me shqetësim mungesën e regjistrit dhe të sistemit të traumës në Shqipëri.
“Trauma nuk është spitali, godina, por duhet të përfshihet shoqëria. Është emergjencë ngritja e një sistemi”, tha kirurgu.
Problematikat mbi traumat u prezantuan në një konferencë me fokus reduktimin e dëmit dhe parandalimin tek të rinjtë.