Biznesi: 23 milionë euro dëm nga energjia e dobët

12/12/2010 12:50

Biznesi ankohet për cilësinë e dobët të furnizimit me energji elektrike nga kompania çeke, CEZ Shpërndarje, e cila prej dy vitesh menaxhon e vetme shërbimin për dritat. Subjektet private thonë se dëmet nga luhatjet e tensionit dhe ndërprerja në mënyrë të papritur janë të shumta.

Mbështetur në studimin e kryer nga Konfindustria për kostot ekonomike të shkaktuara nga cilësia e furnizimit me energji elektrike del se në 10-mujorin e parë të vitit 2010, për sektorin industrial, dëmi i përllogaritur në lëndë të para, procese teknologjike, makineri dhe pajisje të dëmtuara ose të blera si dhe koha e shpenzuar tejkalon shifrën prej 23 milionë eurosh.

Në një takim të zhvilluar dje në Tiranë, biznese, ekspertë të njohur të fushës ekonomike, juristë, si dhe përfaqësues të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ngritën problematika të ndryshme si dhe shqyrtuan mundësitë për të rishikuar kontratën e furnizimit me energji elektrike. Sipas organizatorëve, një lëvizje e tillë bëhet veçanërisht e domosdoshme në kushtet kur sistemi i shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri ka kaluar në pronësi private në kushte të pastra monopoli, duke filluar nga viti 2009.

Në Forum u paraqit shqetësimi në rritje i biznesit për cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga CEZ Shpërndarje. Ndërkohë që për një periudhë 3-vjeçare është zgjidhur garantimi i sasisë së furnizimit me energji elektrike, ka shqetësime të shumta për cilësinë e furnizimit ku përmenden luhatjet e tensionit, ndërprerjet e shpeshta dhe të papritura etj.
Lidhur me studimin që nxori efektet e dëmeve te biznesi, Gjegj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, thotë se “studimi është shtrirë vetëm në tetë sektorë dhe vlerësojmë, që dëmet shtrihen edhe në sektorë të tjerë industrialë, bujqësorë, në biznesin e vogël, si dhe në konsumatorët familjarë, ku del se kemi të bëjmë me kosto me shifra mjaft të rënda për ekonominë kombëtare”.
Të pranishmit në takim thanë gjithashtu se, mbështetur në kontratën që është në fuqi, bizneset janë krejtësisht të pambrojtura me furnizuesin e energjisë elektrike, CEZ Shpërndarje.

Përfaqësuesit e botës akademike vlerësuan se termat ligjorë më të rëndësishëm të Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike për bizneset nuk janë në përputhje jo vetëm me standardet e vendeve të zhvilluara të BE-së, por edhe me vetë legjislacionin shqiptar në fuqi.

Sipas tyre, detyrimisht duhet të përmirësohet kontrata e furnizimit me energji nga ERE, për të dhënë mundësinë ligjore në mbartjen e detyrueshme të kostove financiare shtesë të krijuara për industritë/bizneset nga dëmet, për shkak të cilësisë së furnizimit. Përfaqësuesit e Entit mbështetën në parim shqetësimet e Konfindustrisë dhe arsyetimet e akademikëve dhe theksuan se ka filluar procesi përgatitor i përmirësimit të Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike.

Top Channel