Amnistia fiskale, dy anët e medaljes

09/12/2010 08:30

Amnistia fiskale nisi të diskutohej për herë të parë në fillim të viteve 2000, kur biznesi dhe ekonomia ishin duke përjetuar momente pozitive zhvillimi.

Problemi për qeverinë (socialiste) në atë kohë ishin institucionet monitoruese financiare, si FMN-ja, të cilët ishin kundër.

Çështja nëse duhet apo jo po rikthehet sërish, ku përgjatë vitit 2010 ka pasur një sërë takimesh biznes-qeveri, ndërsa FMN-ja ka dhënë lejen në parim.

Mungesa e likuiditetit dhe kriza i shtynë palët të nisin negociatat dhe tashmë ndodhen në fazën e hartimit të paketës.

Diskutimet e para zyrtare filluan në janar të këtij viti, kur Dhoma e Tregtisë së Tiranës paraqiti kërkesën për hartimin e projektit, ndërsa përgjigjja e kreut të Financave, Bode, ishte e menjëhershme, pro ftesës.

Përgjatë këtij viti janë zhvilluar një sërë takimesh, shqyrtuar disa modele, ndërsa Dhoma e Tiranës ka bërë propozimin e fundit zyrtar: zbatimin e amnistisë kundrejt detyrimit tatimor 3 për qind.

Alfred Rushaj, zv.ministri i Financave që mbulon pjesën e politikave fiskale dhe përfaqësuesi i palës shtet në takimet e para të janarit me biznesin, ku nuk munguan profesorë të ekonomisë, thotë se janë pjekur kushtet për të zbatuar një amnisti të përgjithshme fiskale.

Rushaj shprehet personalisht pro amnistisë, por, nga ana tjetër, pranon se nuk ka ende një studim të plotë rreth efekteve që mund të jepte zbatimi i saj, ndërsa nga biznesi nuk ka një projekt të qartë dhe të plotë.

Gjithsesi, me syrin e ekspertëve ekonomistë, zbatimi i amnistisë shikohet e mira dhe e keqja e procesit.

Sipas tyre, amnistia çliron qindra miliarda lekë për ekonominë, biznesi ndihet më i “pastër” në raport me shtetin, ndërsa ky i fundit arkëton shuma të konsiderueshme. Megjithatë, ata nuk harrojnë të përmendin disavantazhet e amnistisë, duke e lidhur me dobësimin e konkurrencës dhe besimit të biznesit ndaj shtetit.

Artan Gjergji, drejtor i Fondacionit për Liri Ekonomike, parashtron argumentet pro dhe kundër amnistisë. Sipas tij, amnistia është reformë për formalizmin e ekonomisë, si dhe shton kapitalet dhe elementet pasurore të ligjshme të bizneseve.

“Tjetër element është se disiplinon sjelljen e taksapaguesve, sikurse nuk duhet harruar fakti se amnistia shërben si një katalizator për të thithur dhe joshur investime e kapitale të reja drejt ekonomisë sonë”, thekson Gjergji. Por ai shton se amnistia mund të shfaqë disa fenomene negative.

“Kjo politikë mund të jetë mjet për pastrimin e parave ‘të pista’, si dhe krijon një impakt të rëndë psikologjik te subjektet tatimpaguese të rregullta”, tha eksperti Gjergji.

Për studiuesit ekonomistë është shumë i rëndësishëm reagimi i biznesit pas amnistisë, pasojat që lë mbi to, duke e lidhur me faktin se një politikë e tillë mund të rrënjosë te subjektet përfituese bindjen se ‘kush fal një herë, fal edhe dy’.

Arjana Berberi, rektore e një universiteti, specialiste e financave publike dhe ish-zv.ministre e Financave, e trajton prerë çështjen e amnistisë. Sipas saj, nga amnistia dalin të fituar si shteti, ashtu dhe privati.

“Zgjeron bazën e taksës, sepse shumë tatimpagues rikthehen në sistemin e taksave, si dhe gjeneron në terma afatshkurtër dhe afatgjatë të ardhura për qeverinë”, janë disa nga argumentet pro të përmendura prej Berberit.

Ashtu si ekspertët e tjerë, edhe Berberi mendon se zbatimi i një amnistie i krijon biznesit një ide fikse se do të ketë të tjera shanse.

“Godet besimin dhe mundet që disa pagues të rregullt të fillojnë të bëjnë evazion fiskal. Taksapaguesit mund të kërkojnë amnisti të tjera, të cilat kanë efekte negative në tax compliance dhe gërryejnë bazën e taksës”, tregon ekspertja e financave, duke shtuar se amnistia mund të ulë moralin e pagimit të taksave, sepse paguesit e ndershëm ndihen keq.

Top Channel