Qarku i Durrësit, mbi 1600 shtëpi të dëmtuara nga uji

05/12/2010 16:25

600 është numri i shtëpive të dëmtuara rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit në qytetin e Fushë-Krujës.

Sipas shefit të Shtabit të Emergjencës, prefektit të Qarkut Genci Alizoti, situata është vënë nën kontroll ndërkohë që ka nisur edhe shpërndarja e ndihmave.

Zyrtarisht jane evakuuar 4 familje në Derven të Krujës të cilat ishin të rrezikuara për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut, ndërkohë që shumë familje të tjera janë sistemuar vetë te të afërmit duke lënë nga një banor në shtëpitë që ndodhen nën ujë.

Në qytetin e Durrësit dhe pikërisht në lagjet periferike të tij situata mbetet e rënduar. 1000 shtëpi janë të përmbytura, ndonëse bilanci është ende i pambyllur.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka akorduar një fond prej 100 milion lekësh për zgjidhjen e situatës në zonat e përmbytyra në Shkozet dhe Plazh. Fondi eshte miratuar me iniciativën e këshilltarëve të LSI dhe PD, që kanë kritikuar mungesën e kryetarit Vangjush Dako në mbledhje.

Por vetë kryebashkiaku Dako deklaroi se ka qenë në terren, atje ku nevojat janë më të mëdha. Përmbytjet në Shkozet e Plazh janë krijuar, përpos faktorëve natyrorë dhe mosfunksionimit disa orësh të hidrovorit, edhe nga mosmirëmbajtja e kolektorëve.

Top Channel