Wikileaks: Kina e lodhur me Korenë e Veriut

30/11/2010 00:50

Kur ka mbërritur në mbi 270 numri i dosjeve të publikuara nga Wikileaks, nga 251.287 që janë në total, zbardhen raportimet amerikane përsa i përket marrëdhënieve mes Kinës dhe aleatit të saj historik, Koresë së Veriut komuniste.

Sipas letërshkëmbimeve të diplomatëve amerikanë, Pekini është lodhur nga sjellja e Koresë së Veriut duke e cilësuar atë si një “fëmijë të llastuar”. Në dokumentë citohen zyrtarë e diplomatë të lartë kinezë të cilët mendojnë se Gadishulli Korean duhet të ribashkohet nën kontrollin e Seulit, një ide kjo, që sipas raportimeve po fiton gjithnjë e më shumë terren në korridoret diplomatike të Pekinit.

“Veriu është në një kolaps ekonomik dhe do të pësojë edhe një kolaps politik 2 ose 3 vjet nga vdekja e Kim Jong Il. Kina mohon një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Korenë e Veriut në rast të një kolapsi politik pasi tashmë interesat strategjike ekonomike të Pekinit janë të lidhura me SHBA-në, Japoninë dhe Korenë e Jugut”, thuhet ndër të tjera në një raport të ambasadores amerikane në Kinë, Kathleen Steveens dërguar Departamentit të Shtetit në fillim të këtij viti.

Top Channel