Plehrat, Italia rrezikon të gjobitet nga BE

27/11/2010 13:10

Italia do të përballet me gjoba të rënda nga BE nëse do të dështojë në pastrimin e mijëra tonelatave të mbeturinave në qytetin e Napolit.

Inspektorët evropianë që vizituan rajonin e Kampanias këtë javë deklaruan se nuk është implementuar asnjë nga masat e kërkuara nga Gjykata Evropiane në muajin mars.

Kryeministri italian Silvio Berlusconi deklaroi të premten se problemi i mbeturinave në qytetin jugor, ndër më të mëdhenjtë në Itali, do të zgjidhet brenda dy javësh.

Ai ishte vetë në Napoli ku zhvilloi një takim të posacëm mbi problemin e mbeturinave me autoritetet lokale, disa prej të cilëve e kanë akuzuar për keqmenaxhim.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, Berlusconi hodhi poshtë kërcënimet për gjobë nga BE, duke u shprehur optimist se qeveria do t’i japë zgjidhje cështjes.

Top Channel