Një familje për jetimët me pellush

25/11/2010 19:00

Ena Bulku është një mama adoptuese. Ajo është 21 vjeç dhe ka adoptuar një qen dhe një mace të cilat jo vetëm kanë shpëtuar nga rruga duke gjetur një strehëz të ngrohtë dashurie, por janë kthyer në padronë të shtëpisë.

“Më pëlqen roli im i “mamasë adoptuese”, por ka edhe përgjegjësi. Ishte pak e vështirë në fillim sepse bëhej fjalë për një qen dhe një mace, por tani janë mësuar dhe nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin”, tregon Ena.

Qenushja Lili është e adoptuara e parë e familjes. Ndërsa macja Ajzis, ishte braktisur në rrugë 3 javëshe dhe Enas i duhej të merrej shumë me të që të kthehej në një mace familjeje tashmë të adhuruar nga të gjithë. Mamaja adoptuese, studente e Akademisë së Arteve për Grafikë, e kujton me çdo detaj natën e parë të kafshëve në shtëpi.

“Lili në fillim ishte e hutuar dhe gjatë gjithë natës ka qarë. Ndërsa Ajzis u lidh menjëherë me mua”, shprehet “mamaja adoptuese”.

Dy kafshët kanë hapësirat e tyre në familjen Bulku. Kanë përkujdesjen dhe dashurinë e familjarëve, krevatët, madje dhe garderobën e tyre.

“Unë i dua kafshët, janë qenie të gjalla dhe meritojnë respekt e kujdes. Në familjen time gjithmonë janë mbajtur kafshë”, shton më tej Ena.

Lili dhe Ajzi janë dy kafshë që arritën t’i shpëtonin rrugës vetëm falë dashurisë së Enas. Por me një inisiativë të grupit shqiptar për të drejtat e kafshëve, ARA, shumë kafshë të tjera si këto po arrijnë të gjejnë një shtëpi nëpërmjet sektorit të adoptimit, një projekti që ka nisur prej gati një muaji dhe po zhvillohet në një nga rrjetet më të mëdha sociale në internet.

Rreth 1600 aktivistë të këtij grupi  mbledhin kafshë në rrugë dhe i mbajnë në shtëpitë e tyre derisa të bëhet i mundur adoptimi i tyre. Ata lidhen me organizatorët e grupit ARA, të cilët merren nga fillimi deri në fund me procesin e adoptimit. Ai fillon me postimin e fotove dhe karakteristikave të kafshëve që kërkojnë një shtëpi në faqen e FB të grupit dhe përfundon me takimin e personave që shfaqin interes për të marrë një kafshë të tillë në familje. Orieta Dashi, një nga organizatoret e grupit, na tregon se përgjegjësia më e madhe qëndron tek përshtatja.

“Aktualisht kemi një mace pa mustaqe e cila nuk mund të jetojë në çdo lloj ambienti sepse nuk e llogarit mirë hapësirën ku ndodhet, ka probleme me nuhatjen etj. Kjo mace nuk mund të jepet në një shtëpi private. Këto lloj përzgjedhjesh bën ARA”, sqaron Orieta.

Grupmoshat që adoptojnë janë të ndryshme. Më të interesuar duken të rinjtë, por nuk mungojnë edhe mosha më të mëdha të cilët i duan kafshët dhe duan t’i shpëtojnë ato, pasi këtu qëndron dhe qëllimi i kësaj inisiative. Por është e pashmangshme që dhe pretendetët për të qene adoptues të shfaqin kërkesat e tyre.

“Ka nga të gjitha kërkesat: që macet të mos gërvishtin perdet, te jenë të trajnuara etj”, thotë Orieta.

Megjithë  kërkesat e çuditshme apo jo, që tani janë arritur sukseset e para të nismës. Kornelia Kokona, një pjesëtare e grupit të të drejtave të kafshëve na tregon se deri më tani ka arritur të përfundojë procesin e dy kafsheve në një kohë rekord. I pari ka qenë një qen tre muajsh i cili u adoptua brenda 3 orëve ndërsa rasti I dytë një mace 2-muajshe.

Endri Haxhiraj,  organizator i grupit, veteriner në profesion, na thotë se që prej një muaji që ka filluar projekti, është bërë i mundur adoptimi i 10 kafshëve.

“Ne po krijojmë mundesitë që dikush që ka dëshirë të adoptojë të gjejë një kafshë tek ne”, shprehet Endri.

Ena që nga fëmijëria ka ëndërruar të hapë një qendër ku të mblidhte kafshët e rrugës dhe t’i ushqente, pse jo dhe t’u gjente një familje.

“Janë qënie të gjalla. Unë kur shoh një kafshë në rrugë dua gjithmonë ta ndihmoj dhe dua të adoptoj kafshë të tjera”, thotë Ena.

Kjo nismë sapo ka lindur në Shqipëri, por ndërkohë në botë adoptimi i kafshëve është një praktikë shumë e njohur dhe e përhapur. Përvec njeriut të jetës, adoptimi i një qeni apo maceje, mund të jetë shansi i vetëm për të zgjedhur një anëtar të familjes, sepse të tillë janë kafshët për ata që i duan shumë ata. Ndaj edhe termi adoptim është i kuptueshëm dhe i justifikueshem dhe në raste të tilla.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel