Tendencat më të fundit të modës

24/11/2010 18:50

Mbase shirat e rrëmbyer nuk iu kanë lënë shumë kohë të mendoni për modën, por mos harroni që kur nuk jeni të lagur veshjet tuaja janë gjithmonë më mirë se një kartëvizitë.

Markat e njohura të modës duket se kanë menduar edhe për ata që përtojnë të mbajnë çadër, sidomos po të shohim koleksionin e fundit të Aleksandër Mcqueen për sezonin vjeshtë dimër 2010.

Stilisti që tashmë nuk jeton më i kishte menduar këto veshje si antiujë dhe anti temperaturë dhe nuk kishte bërë dallime mes meshkujve dhe femrave.

Por dikush tjetër që e sheh të tërë familjen gjatë dimrit është dhe D&G. Italianët i janë rikthyer traditës së materialeve të rënda dhe nga gjyshja deri te nipërit mbizotërojnë kuadratat dhe copa të leshta si të skocezëve.

Por kur vjen puna tek vjeshta e mbi të gjitha tek femrat, stilistët nga Milano duket se e nxjerrin tërë arsenalin e tyre për ta bërë atë sa më joshëse dhe të pangarkuar me prerje të rënda.

Në industrinë e modës është dikush që quhet për prerje të esëllta dhe të lehta, nuk ka besuar kurrë tek ngjyrat e shumta Giorgio Armani e aq më pak nuk beson kur bëhet fjalë për veshjet e dimrit. Është pothuajse e kotë të thuash që mbizotëron e zeza si në pallto ashtu edhe në veshje të tjera.

Një sugjerim do të ishte edhe Christian Dior. Për këtë sezon të ftohtë nuk ka rëndësi nëse jeni në shi, zyrë apo mbrëmje mondane, sipas tij, ju duhet të jeni seksi, nuk mund të thuash që ka menduar shumë për meshkujt, por për femrat ka menduar mirë.

Versaçe ka respektuar për këtë dimër komedinë italiane dhe e ka parë femrën më gazmore se zakonisht. Imagjinoni dikë të veshur kështu në lokalet shqiptare teksa është e pamundur të mos prisni ndonjë batutë prej saj. Sidoqoftë copat janë të lehta dhe të rehatshme, ndërsa ngjyrat janë më të komplikuara për t’u kombinuar.

Një tjetër markë që po fiton terren është edhe izraelitja “Kastro”. Këndvështrimi mbi tendencat dimërore nuk është ai konservatori i liderit kuban, por është trasgresivi izraelit.

Mbi të gjitha këtë dimër femra duket se është e sigurt në vetvete dhe sipërmarrëse dhe mbi të gjitha me copa të leshta shumë të gjalla në ngjyra, e aspak të ngjashme me veshjet që bëjnë gjyshet tona.

Lagerfeld duket më i çeluri këtë dimër dhe nëse nuk i trembeni baltës apo gjithëfarë ndotjesh në rrugët tona, ai do të ishte një sugjerim i denjë.

Nëse jeni ndjekës të modës qofshi meshkuj apo femra, vjeshta e dimri nuk është e thënë të jenë dekurajues në raport me pamjen, mund të jeni të këndshëm në paraqitje edhe thjesht duke marrë këshilla nga markat e njohura.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel