3 javë e bllokuar në tualet

24/11/2010 09:50

Një pensioniste franceze është shpëtuar pasi ka ndenjur për tre javë e bllokuar në tualetin e shtëpisë së saj.

69-vjeçarja mbeti e bllokuar pasi dera u kyç pas saj më 1 nëntor. Edhe pse ka bërë shumë përpjekje për të hapur derën, ajo ka rezistuar vetëm duke pirë ujë rubineti derisa fqinjët kanë kuptuar se ç’ po ndodhte. Gjatë gjithë kësaj kohe, zhurmat që dëgjonin gjatë natës, fqinjët i merrnin për punëtorët e mirëmbajtjes.

Gjyshja, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, është shpëtuar nga policët në Essone, afër Parisit. Ata thanë se e kanë gjetur në një gjendje të tmerrshme pasi kanë shpërthyer derën e tualetit, të cilit i mungonin dritaret.

Zëdhënësi i policisë tha: “Pasi hymë në apartament me forcë dëgjuam zhurma që vinin nga tualeti dhe shpërtthyem derën. Brava e derës ishte thyer dhe ajo ishte bllokuar. Nuk kishte asnjë mundësi daljeje sepse mungonin edhe dritaret.”

“E gjetëm të paushqyer dhe në gjendje shoku nga kjo përvojë e keqe”, përfundoi zëdhënësi i policisë.

Top Channel