Rritet interesimi i subjekteve politike serbe të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e proçesit elektoral në Kosovë. Madje në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit garojnë më shumë subjekte serbe sesa shqiptare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi 8 subjekte serbe dhe 7 shqiptare, ndërsa ndër 14 të tjerat përfshihen 2 subjekte turke, 4 boshnjake e të komuniteteve të tjera.

Në këtë kuadër, bazuar në thirrjet e bëra nga politikanët serbë e shqiptarë nuk mungojnë as pritshmëritë se komuniteti serb do t’i përgjigjet pozitivisht zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Por a do të vazhdojë edhe më tutje Kushtetuta e Kosovës të garantojë 10 vende në Kuvend për serbët, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. AAK e cila deri më tani ka qenë në opozitë mendon se edhe për këtë mandat serbët pavarësisht pjesëmarrjes, i kanë 10 vende e rezervuara në Kuvend. Ndërkaq që në mandatet e tjera gjërat do të duhej të ndryshonin.

“Janë favore të mëdha që i kemi bërë që janë parashikuar në pakon e Ahtisarit dhe janë edhe në Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Melihate Tërmkolli, anëtare e kryesisë së AAK-së.

Sipas analistit kosovar Enver Robelli, gjithçka është në duar të politikanëve serbë nëse inkuadrimin në institucionet e Kosovës e bëjnë për ta bllokuar shtetin e ri apo e kanë pranuar atë si të barabartë për të gjithë qytetarët.

“Këtë nuk e shoh si problematike, kjo do të thote se nëse serbët e pranojnë shtetin e Kosovës e pranojnë si të tillë, nëse ata e keqpërdorin dokumentin e Ahtisarit, atëherë do të jetë një problem duke patur një ngurtësim të fronteve politike”, tha Robelli.

Beogradi zyrtar gjatë katër palë zgjedhjeve që ka mbajtur Kosova, vazhdimisht ka bërë presion mbi serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Kjo e detyroi palën kosovare që në mungesë të pjesëmarrjes të serbëve në zgjedhje dhe në mënyrë që ky komunitet të përfaqësohet në institucione, t’ua falë atyre 10 vende në kuvendin e Kosovës.

Top Channel