T’i shpëtosh një kërcënimi

18/11/2010 09:20

Shpesh i kujtojmë si aksesorë që plotësojnë skena filmash, por janë pajisje që zenë përdorim të gjerë edhe në jetën e përditshme. Madje, rezultojnë shumë të kërkuar edhe në Shqipëri.

Në një metropol si Tirana, ku bashkjetesa e njerëzve të kategorive të ndryshme dhe prania e shumë fenomeneve të papëlqyeshme mund të jetë një kërcënim në rrugë, një pajisje vetëmbrojtëse, për shumë njerëz është një ndjenjë sigurie.

Këto nuk janë armë si thikat, apo armët e zjarrit. E kemi fjalën për spray-in, i cili mund të jetë shpëtimi në një situatë të vështirë. Kështu që, Enkelejda gjykon se është koha t’i bashkojë aksesorëve të tjerë të çantës edhe këtë mjet të vogël neutralizues.

“Duke qenë se janë rritur rastet e agresionit në daljet vetëm gjatë natës për shkak të punës spray mund të jetë i dobishëm  Mund të ketë njerëz që të bezdisin, por edhe qentë e rrugës janë të frikshëm natën”, shprehet Enkelejda.

Të blesh një armë të tillë të maskuar si deodorant çfarëdo, tashmë edhe në Shqipëri nuk është më një gjë e rrallë.

“Kemi pajisje që mund të blejë cdo person. Efektet e spray-t të piperit janë diegie e lëkurës dhe syve, lot, kollë dhe spazma muskulore të forta”, thotë Genti, shitës i këtyre pajisjeve.

Të ndikuar apo jo prej ndonjë skene hollivudiane, por absolutisht të nxitur nga prania e kërcënimeve në rrugë, shumë qytetarë kërkojnë të zotërojnë së paku një spray të tillë teksa lëvizin orë e pa orë rrugëve të qytetit.

“Klientet më të shumta të këtij spray janë femrat. E blejnë për arsye sigurie”, vazhdon Genti.

Spray i piperit, i cili mund të bjerë në dorën e kujtdo, kategorizohet si mjet jo vdekje- prurës, me gjithë efektet paralizuese të momentit. Por kjo nuk mund të thuhet gjithmonë me kaq siguri.

“Për spray të tillë është hamendësuar se shkaktojnë vdekjen. Megjithëse kategorizohet jovdekjeprurës, ky spray mund të ketë pasoja tek azmatikët dhe personat me zemër, varet nga organizmi”, shpjegon Genti.
 
E megjithatë, blerjet për vetëmbrojtje mund të shkojnë edhe përtej këtij kërcënimi. Genti, njohës i këtyre pajisjeve thotë se ka përbërës edhe më të fortë sesa ai që konsideruam deri tani. Por, fatmirësisht ato u tregëtohen vetëm strukturave të specializuara.

“Që dikush të blejë spray të fortë, duhet të ketë autorizim, po ashtu edhe për elektroshokerin që deri diku personi paralizon personin. Këto përdoren nga persona të autorizuar dhe organet e rendit”, shton Genti.

Deri tani, iu referuam vetëmbrojtjes kur folëm për këto pajisje të specializuara. Po nëse spray i piperit që mund të zotërohet nga të gjithë, të përdorët për qëllim të kundërt? Për shembull, për të sulmuar?

“Cdo gjë mund të përdoret për qëllime të këqia. Kjo varet nga ndërgjegjia e personit”, përgjigjet Genti.

Dhe duket se vërtet çështja i mbetet ndërgjegjies, pasi nga Ministria e Brendshme na vjen shpjegimi se, për tregëtimin e pajisjeve të tilla të konsideruara vetëmbrojtëse, ka një vakum ligjor. Një mungesë që nuk ngatërron vetëm përgjëgjësitë, por edhe vetë tregtarët.

“Krijon një lloj problemi se edhe ne nuk jemi të qartë, nuk e dimë kujt na lejohet t’ia tregtojmë dhe kujt jo. Për të qenë protektivë me veten, e bllokojmë fare dhe ia shesim vetëm me autorizim. Po të kishte fleksibilitet do ta zgjeronim gamën e personave që mund të pajiseshin me to”, thotë një tregtar.

Por, megjithatë qyetarët e thjeshtë nuk është se mbeten pa mundësi zgjedhjeje në këtë gamë produktesh vetëmbrojtëse. Edhe me një spray piperi, mund t’ju shërbeni shumë mirë qëllimeve vetëmbrojtëse. Duke shpresuar se agresorët nuk do të jenë të parët që do ta shtijnë atë në dorë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel