Gjermani, gjykata e dënon për tatuazhin e ponit

18/11/2010 20:35

Një gjykatë në qytetin Muenster, në veriperëndim të Gjermanisë, ka dënuar një burrë i cili kishte bërë tatuazh logon e “Rolling Stones” tek poni i tij.

Burri kishte rruar një pjesë të krifës së ponit dhe kishte vizatuar “Buzët me gjuhën jashtë”, logon që ndodhet në albumet dhe bluzat e grupit të famshëm “Rolling Stones”.

Pronari i ponit tha se donte vetëm që poni i tij të ishte “i veçantë dhe i bukur”.

Por, gjykata u shpreh se iniciativa e tij për t’i bërë tatuazh ponit ishte në kundërshtim me ligjin mbi mbrojtjen e kafshëve që ndalon në mënyrë të veçantë tatuimin e tyre.

Deklarata e gjykatës saktëson se “shkaktimi i dhimbjes tek kafsha pa ndonjë arsye të veçantë është në kundërshtim me ligjin dhe zbukurimi i ponit nuk është një justifikim i mjaftueshëm.”

Top Channel