Oferta, Mazhoranca: Nuk ka hetim të pakufizuar

01/11/2010 13:35

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se maxhoranca pranon kërkesat e opozitës bërë në ofertën dorëzuar prej kryetarit socialist Edi Rama, përvec hetimit të pakufizuar.

“Sot deputeti Astrit Patozi i dorëzoi Partisë Socialiste përgjigjen për ofertën e saj dhe mendoj se kjo përgjigje i plotëson të gjitha kërkesat e opozitës. Por nuk është në dorën tonë hetimi i pakufizuar, ne respektojmë institucionet”, u shpreh Berisha.

Në fakt, me anë të një letre që mban datën 27 tetor, por dërguar sot kryetarit të deputetëve socialistë Gramoz Ruci, numri një i deputetëve demokratë Astrit Patozi thekson se “në një sistem demokratik, asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar dhe nuk mund të ndërmarrë hetim të pakufizuar”.

“Jemi dakord të hetojmë së bashku çdo çështje, por kjo në përputhje me Kushtetutën e vendit, parimin e ndarjes së pushteteve, Kodin Zgjedhor, vendimet të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kanë të bëjnë me objektin e hetimit të komisioneve parlamentare dhe hetimin e zgjedhjeve.
Prandaj, ne propozojmë që të ngremë menjëherë Komisionin Hetimor, të nisim hetimet për të gjitha çështjet që Ju kërkoni, përveç atyre për të cilat ka vendime të formës së prerë dhe përfundimtare nga gjykatat e vendit ose janë juridiksion i tyre”, thuhet në përgjigje.

Top Channel