Pacientët rrezikohen nga infeksionet spitalore

28/10/2010 08:40

Gjysma e pacientëve që shtrohen në spitale, përveç sëmundjes apo operacionit që duhet të kurojnë, mund të përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e tyre shëndetësore.

Nga studimet e fundit rezulton se mbi 40 për qind e pacientëve me plagë që qëndrojnë apo janë të shtruar në spitale, marrin infeksione pranë këtyre qendrave.

Kjo jo vetëm që shtyn ditëqëndrimin e tyre në spital, por mund të ketë pasoja fatale deri në humbje të jetës, apo duke sjellë përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

Gjergj Koja, specialist për infeksionet spitalore në Institutin e Shëndetit Publik, shpjegon se sipas një studimi më të fundit, infeksionet spitalore vijnë për shkak të mungesës së dizinfektantëve, mosrespektimin e higjienës në punë nga ana e punonjësve të spitaleve, dhe si shkak i hyrjeve dhe daljeve të shumta në spitale.

Në konferencën kombëtare mbi çështjen e infeksioneve spitalore dhe antibiotik-rezistencës, autoritetet e shëndetësisë kërkuan zbatimin rigoroz të protokolleve të mjekimit në të gjitha spitalet e vendit.

Në të kundërt, ata paralajmëruan ndëshkime.

Por jo vetëm kaq, sipas referimeve të ekspertëve të Shëndetit Publik, kohët e fundit nga ekspertiza e kryer rezulton se infeksionet spitalore po shfaqin rezistencë ndaj antibiotikëve.

“Sallat me më shumë probleme mbeten ato të urologjisë, kirurgjisë, reanimacionit, djegie-plastikës. Infeksionet spitalore gjendjen më tepër në vendet ku ka plagë të hapura, atje ku ka fluks shtrimesh dhe qëndrim të pacientëve”, sqaroi sektori i infeksioneve nozokomiale në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Nga studimet e fundit rezulton se gati gjysma e pacientëve të shtruar në spitale, veç diagnozave të para, sëmuren edhe nga prezenca mikrobike në sallat e operacioneve apo shtretërit e mjekimit.

Stafilokoku ka qenë një ndër armiqtë kryesorë të sallave të operacionit edhe në ambientet e QSUT-së, spitalit më të madh terciar në vend.

“Kemi urdhëruar ngritjen e funksionimit e njësive për parandalimin e kontrollit të infeksioneve spitalore pranë spitaleve rajonale, ku janë detajuar të tëra veprimet. Veprimtaria e këtyre njësive do të monitorohet në mënyrë sistematike. Detyrë e tyre është që gjithçka që duhet ta përçojë në të gjithë nivelin e personelit mjekësor në luftën kundër infeksioneve spitalore, nuk ka asnjë figurë mjekësore të përjashtuar prej saj”, tha Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.

Top Channel