Realizohet ndërhyrja e vështirë te foshnja

06/10/2010 08:25

Qendra spitalore universitare, “Nënë Tereza”, do të mund të vendosë në bilancet e saj vjetore edhe një sukses të ri.

Javën e kaluar, mjekët e pediatrisë, kardiologjisë dhe mjeku italian i punësuar “part time” në Tiranë, kanë shpëtuar një bebe që mbushte plot 13 ditë nga lindja.

Kështu, të gjithë prindërit që kanë probleme me fëmijët, si në diagnostikim, ashtu edhe për trajtim, duhet të kenë kurajë dhe forcë për të trokitur në dyert e specialistëve për të ndihmuar të vegjlit e për të përmirësuar shëndetin e jetesën e tyre.

Fëmija kishte lindur me një defekt në zemër, konkretisht në aortë dhe operacioni ishte tepër i vështirë. Mjekët e kishin diagnostikuar dhe kishin përgatitur të gjitha alternativat e mundshme për realizimin e ndërhyrjes. Shkalla e komplikacioneve ishte e lartë jo vetëm për shkak të problemit, por edhe për shkak të peshës e moshës së të porsalindurit.

Por në fund ndërhyrja kirurgjikale ka dalë me sukses, duke i dhuruar bebes shëndet të mirë dhe familjes lumturinë e kërkuar. Bebja 3.7 kilogramë ka qëndruar për disa ditë në spital, deri në rehabilitim të plotë, ndërkohë që stafi mjekësor dhe kirurgët janë falënderuar jo vetëm nga familjarët, por edhe nga të gjithë shqiptarët që morën vesh se edhe në qendrën spitalore të Tiranës mund të raportohen realizime të operacioneve të suksesshme kirurgjikale, si ajo e para pak ditëve.

Ndërhyrje të tilla i kanë hije një spitali që mban titullin dhe gradën “shkencore” terciar. Kjo do të thotë se në qendra të tilla më shumë se operacione rutinë, duhet të realizohen ndërhyrje të vështira të një stadi më të lartë se operacionet që kryhen në të gjitha spitalet e vendit.

Shpesh herë fëmijët me probleme në zemër trajtohet si të ftohur apo me virozë të zgjatur stine. Mjekët e poliklinikave, apo qendrave shëndetësore në rrethe, nuk bëjnë diagnostikim të saktë dhe nga ana tjetër prindërit nuk marrin informacionin e duhur për të kontrolluar fëmijët e tyre në kohë. Në rastin e pacientëve të vegjël që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, koha është një nga “shkaktarët” kryesorë të përkeqësimit të sëmundjes.
Në Shqipëri, bazuar në të dhënat e shërbimit të Pediatrisë, rezultojnë të jenë 250-300 lindje në vit me probleme në zemër, nga ku 7-80% e tyre kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

“Një nga pengesat për zgjidhje në kohë të këtyre problemeve mbetet mentaliteti i shumë prindërve, për të mos deklaruar sëmundjen e fëmijëve, duke shkaktuar gjendje të rëndë në shumë fëmijë. Ndaj është e rëndësishme që të sensibilizohen fillimisht prindërit për rëndësinë e diagnostikimit në kohë, si dhe rrugën që duhet ndjekur për rastet e verifikimit të vesit në zemër”, tha presidenti i kësaj shoqate, Agim Baçi, i cili ka nisur një fushatë sensibilizimi për prindërit, që të mos neglizhojnë asnjë situatë të dyshimtë te fëmijët, sidomos në rastet e zhurmave në kraharor.

Ndërkaq, mungesa e pajisjeve të specializuara është një pengesë tjetër në përshpejtimin e saktësimit të diagnozave.
“Ne do të kërkojmë ndihmë nga të gjitha organizmat dhe bizneset për të bërë të mundur pajisjen e spitalit të Pediatrisë së Specialiteteve në spitalin ‘Nënë Tereza’ me mjete moderne, ku ekzaminimi të jetë sa më afër saktësimit të vesit te të sapolindurit”, shprehet Baçi.

Top Channel