Holandë, në gjyq deputeti anti-islamik

04/10/2010 16:50

Deputeti anti-islamik holandez, Geert Wilders është shfaqur në një gjykatë të Amstërdamit, për t’u përballur me akuzën e nxitjes së urrejtjes ndaj myslimanëve.

Wilders, i cili në deklaratat e tij ka krahasuar Kuranin me ligjet e Hitlerit, i tha trupit gjykues se po gjykon lirinë e fjalës. Nëse shpallet fajtor, deputeti do të përballet me një dënim prej 1 viti burg.

Subjekti politik i drejtuar prej tij, Partia e Lirisë, është i treti për nga madhësia në Holandë dhe pritet që të luajë një rol kyc në koalicionin qeveritar.

Prokurorët kanë ngritur ndaj Wilders pesë akuza, mes të cilave spikasin ajo për nxitjen e urrejtjes dhe ajo për diskriminim.

Për këtë arsye, ata do të hetojnë deklaratat e bëra prej tij mes viteve 2006 dhe 2008. Në një editorial që mbante firmën e tij në një gazetë lokale, Wilders shkruante: “Mjaft me Islamin në Holandë. Të mos lejohet më as edhe një emigrant mysliman”.

Top Channel