SHBA: Sanksione shtesë ndaj Iranit

30/09/2010 03:00

Shtetet e Bashkuara rënduan për të tretën herë në pak muaj barrën e sanksioneve ndaj Iranit.

Sanksionet e reja u njoftuan nga Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e cila njoftoi se sanksionet e shtesë vihen për mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe raprezalje ndaj opozitës vendase.

Sanksionet përmbajnë bllokimin e aseteve të disa zyrtarëve të lartë iranianë, në listën e të cilëve ndodhen kreu i Rojeve Revolucionare, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Inteligjencës, si dhe ndalimin e shtetasve amerikanë që të kryejnë marrëdhënie biznesi me këta persona.

“Nën regjimin dhe komandën e këtyre zyrtarëve, populli iranian është torturuar, përdhunuar e vrarë. Qeveria iraniane ka injoruar thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për t’u dhënë fund këtyre abuzimeve dhe të respektojë të drejtat themelore të njeriut”, tha në fjalën e saj sekretarja Klinon.

Top Channel