KLSH: Abuzimet me buxhetin, mbi 1.5 miliardë

28/09/2010 08:15

Dëmi në buxhetin e shtetit arrin një shifër të konsiderueshme që në monedhën shqiptare arrin në më shumë se 1.5 miliardë lekë.

Abuzimi me tenderët kanë përfshirë në ‘mëkat’ dikasteret kryesore, por edhe disa institucione të larta të vendit.

Në raportin voluminoz të KLSH-së, që është dorëzuar në kryesinë e Kuvendit, vihet re se dëmi më i madh financiar është bërë në abuzimet me tenderët, por edhe në fushën e shpenzimeve.

Abuzimi me tenderët Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerën totale të abuzimeve e ka në shifrën 78.3 milionë lekë.

Nga këto 24.3 milionë, për shkak të abuzimeve në fushën e prokurimeve publike, duke likuiduar mallra në kundërshtim me specifikimet teknike të përcaktuara në kontratë.

Për udhëtime dhe dieta në kundërshtim me ligjin, kjo ministri i ka shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit në masën 3.5 milionë lekë.

Ministria e Brendshme në fushën e prokurimeve publike ka përfituar padrejtësisht për rikonstruksion të rrugëve rurale nga rritja fiktive e volumit të punës dhe rritja fiktive e gjatësisë së rrugës në kundërshtim me specifikimet teknike e detyrimet kontraktore.

Ky dëm kap vlerën e 853 mijë lekëve. Ministria e Mbrojtjes ka përfituar padrejtësisht 4.4 milionë lekë në fushën e prokurimit publik, ku ka përfituar padrejtësisht një kompani ndërtuese nga ndryshimi i çmimeve krahasuar me kontratën bazë të lidhur me autoritetin kontraktor.

Po kështu, Ministria e Mjedisit për vitin 2009 në fushën e prokurimeve publike në preventivat e hartuar ka shtuar padrejtësisht vlerën e fidanëve të blerë për pyllëzim. Ky dëm kap vlerën e 1 milion lekëve.

Ministria e Financave vlerën e shkeljes e ka 168 mijë lekë në fushën e prokurimeve publike për punime të pakryera dhe të likuiduara në kundërshtim me ligjin.

Top Channel