Sot filloi punë komisioni hetimor parlamentar për masakrën e Tivarit. Komisioni do të hetojë mbi vrasjen e 1700 deri në 4300 shqiptarëve të rekrutuar në Kosovë, për të luftuar kundër gjermanëve në fund të luftës së dytë botërore.
Nga Prizreni ata marshuan nëpër Shqipëri, për t’u ekzekutuar pabesisht në Tivar të Malit të Zi. Sot Komisioni miratoi programin e hetimit, i cili parashikon shqyrtimin e burimeve arkivore dhe cdo dokumentacioni tjetër që do të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjes. Komisioni do të asistohet nga dy ekspertë, ish-deputeti demokrat Uran Butka dhe historiani Romeo Gurakuqi.
Përfundimet e një komisioni hetimor parlamentar nuk janë të detyrueshme për Prokurorinë. Kurse Kodi Penal, me përjashtim të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, parashikon pershkrim për krimet e tjera të rënda të kryera më shumë se 20 vjet më parë.
Ngritja e komisionit hetimor për masakrën e Tivarit është një nismë e vetë kryeministrit Berisha, i cili ka akuzuar si të implikuar në këtë histori edhe figura të shtetit shqiptar të asaj kohe, e posacërisht Ramiz Alinë. Kurse opozita, e cila nuk merr pjesë në këtë komision, vlerëson se zbardhja e ngjarjeve të tilla i takon historianëve.
Top Channel