Tensionohet situata në Jeruzalem

23/09/2010 01:50

Përleshje të reja u shënuan në Jeruzalemin Lindor mes policisë izraelite dhe një grupi të rinjsh palestinezë.

Zemrëimin e këtyre të fundit e ndezi vrasja e një 32 vjeçari nga një polic izraelit. Raportohet për dhjetra të plagosur mes policëve dhe protestuesve.

Vrasja e 32 vjeçarit ndodhi në zonën Silvan mëngjesin e së mërkurës kur palestinezi, Sami Sirhan, baba i 5 fëmijëve u qëllua për vdekje nga një polic izraelit. Policia izraelite raportoi se policia qëlloi pasi makina e tyre ishte goditur me gurë nga banorë të zonës. Fill pas vrasjes ata dolën në rrugë, i vunë flakën makinës dhe qëlluan me gurë policët dhe kalimtarët e tjerë.

Pas cerëmonisë së varrimit situata po merrte të tjera përmasa duke mbërritur pranë xhamisë “Al Aksa”, një nga vendet e shenjta muslimane. Policia izraelite iu afrua territorit përreth për të shpërndarë protestuesit por nuk hyri brenda saj.

Silvan është një pikë delikate për numrin e kolonëve hebraikë që kanë ardhur aty. Gjithashtu ekzistojnë plane kontradiktore për të shembur shtëpitë e shumë palestinezëve. Ndërtimi i vendbanimeve hebraike është një çështje delikate për bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet më të debatueshme mes Izraelit dhe palestinezëve.

Top Channel