Presidenti amerikan Barack Obama, në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka deklaruar se Irani i ka dyert e hapura për një zgjidhje paqësore.
Por ky fjalim nuk i ka pëlqyer Izraelit. Karriket e delegacionit izraelit kanë qëndruar bosh gjatë fjalimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana e tij, Obama i ka kërkuar Teheranit një angazhim “të qartë dhe të besueshëm” mbi programin e tij bërthamor.
Ndërsa përsa i përket bisedimeve për paqen në Lindjen e Mesme, ai ka shprehur bindjen se, “Netanyahu dhe Abu Mazen kanë guximin për të arritur paqen”.
Obama ka folur edhe për ekonominë globale, lidhur me të cilën ka nënvizuar se ajo ka filluar të rritet, por duke theksuar se bota nuk mund të ndalet me kaq.
“Duhet të vazhdojmë derisa këto fara progresi nuk do të kthehen në një prosperitet të gjerë për të gjithë. Ka ende punë për t’u bërë”, ka deklaruar Obama, i cili e ka cilësuar si jetik bashkëpunimin me Kinën.
Ndërkohë, Izraeli ka mohuar lajmet për bojkot të fjalimit të presidentit amerikan. “Nuk ka pasur asnjë bojkot. Dje nisëm festën e Sukotit e cila është e shenjtë për ne. Për këtë arsye sot nuk jemi të pranishëm”, ka deklaruar një zëdhënës.
Ndërsa burime të tjera izraelite e kanë cilësuar si “të ekuilibruar” fjalimin e Obama, i cili edhe pse kërkoi zgjatjen e moratoriumit të ndërtimeve në Cisjordani, nuk e lidhi atë me vazhdimin e negociatave.
Top Channel