Ahmadinexhad: Netanjahu, vrasës profesionist

23/09/2010 01:20

Në një intervistë për CNN, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad e quajti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu një “vrasës profesionist” i cili duhet vënë para gjykatës për vrasjen e grave dhe të fëmijëve.

Më tej lideri i Republikës Islamike foli për të dënuarit në vendin e tij si dhe për programin bërthamor të Teheranit. Ai hodhi poshtë pretendimet e SHBA-së dhe të disa vendeve të tjera perëndimore se Irani po tenton krijimin e bombës bërthamore.

“Ne nuk po tentojmë ndërtimin e një bombe bërthamore. Asnjë vend tjetër përveç regjimit zionist dhe disa autoriteteve amerikane, nuk është i shqetësuar nga programi ynë bërthamor. Rreziku i vërtetë i botës janë bombat që zotërojnë SHBA dhe regjimi zionist”, tha Ahmadinexhad.

Më tej presidenti iranian i cilësoi të paefektshme sanksionet e fundit të vendosura ndaj vendit të tij.

Megjithëse prej kohësh sfidon në debat presidentët amerikanë, Ahmadinexhad refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetarit për një takim të mundshëm mes tij dhe presidentit Obama.

Top Channel