Sërish tensione mes Turqisë dhe Izraelit

22/09/2010 00:50
Një takim i parashikuar mes presidenti turk, Abdullah Gyl dhe homologut të tij izraelit Shimon Perez u anulua.

Sipas zyrtarëve izraelitë kjo erdhi pasi udhëheqësi hebre refuzoi të kërkojë falje për sulmin kundër flotiljes me ndihma e cila u përpoq të thyente bllokadën e Rripit të Gazës.

Në përpjekjet e fundit për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatin e vetëm musliman në rajon, Perez u tha gazetarëve se kishte pranuar takimin që do të zhvillohej në Nju Jork. Por sipas zyrtarëve izraelitë më pas Gyl vendosi kushte të papranueshme.

Ndërkohë presidenti turk mohoi të kishte pranuar një takim të tillë.

“Kjo nuk është e vërtetë. Po e dëgjoj nga ju dhe nga dikush tjetër që e përmendi. Nuk është përcaktuar asnjë takim mes nesh. Siç e dini njëra prej palëve duhet të kërkojë takim dhe më pas kjo të përcaktohet, por kjo nuk ka ndodhur. Asnjë planifikim nuk është planifikuar deri më tani”, u shpreh presidenti turk, Abdullah Gyl për gazetarët.

Turqia u kërkoi autoriteteve izraelite të kërkonin falje publike për sulmin e komandove në anijen me ndihma humanitare për Gazan, ku humbën jetën 9 shtetas turq, si dhe kompensim për familjet e viktimave.

“I takon Izraelit në kuadrin e ligjit ndërkombëtar të bëjë atë që është e nevojshme, meqë janë ata që e nisën këtë incident. Kur kjo të bëhet atëherë në do të flasim për të shkuarën tonë”, tha më tej Gyl.

Presidenti turk u kërkoi autoriteteve izraelite të rishqyrtonin faktin se vendi i tij ka mbështetur Izraelin në një rajon ku është pak a shumë i vetëm.

Top Channel