Berisha në OKB: Ulëm varfërinë ekstreme

22/09/2010 19:25

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku e ka vënë theksin tek reformat ekonomike në Shqipëri, në kuadër të sfidave të mijëvjecarit. 

Sipas Berishës, përmes këtyre reformave në vend është ulur ndjeshëm varfëria dhe janë rritur aktivitetet ekonomike.

“Në këto vite kemi ulur varfërinë ekstreme. Shqipëria përparoi dhe ridimensionoi objektivat e zhvillimit të mijëvjecarit, duke i përmbushur ato për integrimin në BE”, ka pohuar Berisha, duke nënvizuar se rritje kanë pësuar edhe eksportet, si dhe të ardhurat vjetore.

“Pavarësisht krizës financiare, ekonomia ia doli të ketë një rritje, eksportet kanë njohur një rritje prej 62%, po ashtu të ardhurat vjetore dhe rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4%”, ka saktësuar Berisha.

Kryeministri ka bërë të ditur se në katër vitet e fundit, në Shqipëri janë rritur me 40 për qind shpenzimet për arsimin dhe 60 për qind ato për shëndetësinë.

“Gjithashtu, 70 për qind e të rinjve kanë hyrë në universitet, duke trefishuar numrin e studentëve, dhe në cdo shkollë ka hyrë interneti”, është shprehur Berisha.

Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se progres është bërë edhe në thithjen e investimeve, ndonëse ka pranuar se në këtë drejtim vendi ka ende shumë punë.

Një tjetër temë e prekur nga kryeministri ka qenë edhe rritja e jetëgjatësisë, si dhe rënia e ndjeshme e vdekshmërisë foshnjore.

Top Channel