Ki Moon: Objektivat e mijëvjecarit mund të arrihen

20/09/2010 18:55

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka deklaruar se Objektivat për Zhvillimin e Mijëvjecarit mund të arrihen nëse punohet sa duhet.

Ki Moon u tha liderëve të vendeve të ndryshme të botës, të mbledhur në Nju Jork për një samit treditor, se deri tani kanë arritur shumë objektiva për të cilët mund të ndihen krenarë.

Por ai ka theksuar se “ora po bën tik-tak” dhe se ka ende shumë punë për të bërë nëse objektivat duhet të arrihen brenda vitit 2015, kur dhe skadon afati i projektit.

I krijuar në vitin 2000, projekti me 8 objektiva synon të ulë varfërinë dhe urinë, si dhe të përmirësojë standartet shëndetësore në të gjithë botën.

Megjithatë, Ki Moon u shpreh i vetëdijshëm se për arritjen e objektivave ka një lloj skepticizmi, për shkak të krizës ekonomike globale që po shkakton presion tek fondet e ndihmave tek vendet e pasura dhe që po ngadalëson rritjen tek ato të varfëra.

Top Channel