Rriten kreditë e pashlyera

18/09/2010 15:45

Kreditë e këqija vazhdojnë të rriten me ritme jo të vogla edhe tani që kriza e ka kaluar kulmin e saj.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga shoqata e bankave tregojnë se vetëm për muajin korrik, shifra e kredive me probleme u rrit me gati 0.87 pikë përqindje duke arritur nivelin 12.87 për qind të totalit.

E shprehur në vlerë kjo do të thotë se nga 466 miliardë lekë kredi që kanë dhënë bankat për bizneset dhe individët, 60 miliardë klasifikohen si kredi me probleme. Kreditë e pashlyera janë rritur me shpejtësi dy vitet e fundit. Në dhjetor të vitit 2008, kreditë e këqija zinin 6.45 për qind të totalit dhe brenda një viti e gjysmë shifra u dyfishua.

Mosshlyerja e kredive në banka nuk është një problem vetëm i ekonomisë shqiptare. Ky fenomen ka përfshirë tashmë gjithë rajonin, duke shqetësuar edhe drejtuesit më të lartë të Bankave Europiane që kanë aktivitet në Ballkan. Lista e vendeve më problematike kryesohet nga Serbia dhe Mali i Zi, ku kreditë e këqija janë respektivisht 17.5 dhe 17.2 për qind e totalit. Në vend të tretë vjen Shqipëria me 12.87 për qind dhe pastaj Maqedonia me 9.9, Kroacia me 9.5 dhe Bosnja me 8.7 për qind.

Reuters citon disa nga drejtuesit më të lartë të Bankave Europiane në rajon, të cilët shprehen se bëhet fjalë për një nivel të lartë të kredive të këqija që do të ndikojnë rezultatet financiare të bankave. Ekspertët paralajmërojnë se rritja e kredive të këqija në këto nivele, mund t’i detyrojë disa nga bankat që të rishikojnë strategjitë e tyre dukë shtrënguar edhe më kreditimin e ekonomisë. Një fenomen që ekonomia shqiptare po e vuan tashmë prej më shumë se një vit.

Top Channel