Turqi, ndryshimet kushtetuese drejt miratimit

12/09/2010 19:05

Mediat turke dhe ato ndërkombëtare e cilësojnë një triumf të kryeministrit Erdogan dhe partisë së tij, propozuese të ndryshimeve kushtetuese, rezultatin e referendumit të mbajtur ditën e sotme. (UPDATE)

Megjithëse asgjë nuk është zyrtare, rezultatet paraprake, kur janë numëruar mbi 91 përqind e fletëve të votimit, flasin për 59 përqind të votuesve që janë shprehur pro ndryshimeve kushtetuese, duke vulosur një tjetër fitore të Erdogan dhe partisë AKP ndaj opozitës.

Opozita kërkoi rrëzimin e propozimeve me argumentin kryesor se ato bien ndesh me vlerat shekullore të shtetit turk dhe se me anë të tyre kërkohet kontrollimi i sistemit të drejtësisë prej partisë në pushtet. Megjithatë rezultati i deritanishëm i referendumit duket se konfirmon situatatën aspak komode në të cilën ndodhet opozita turke.

26 janë nenet e propozuara për ndryshim, ku përfshihet edhe epërsia e gjykatave civile mbi ato ushtarake.

Referendumi u mbajt pikërisht në 30 vjetorin e ngjitjes në pushtet të juntës ushtarake e cila është edhe hartuesja e kushtetutës ekzistuese.

Top Channel