Amerika kujton tragjedinë e 11 shtatorit

11/09/2010 16:00

Presidenti amerikan Barack Obama duke folur në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit 2001, ku SHBA-të u tronditën nga sulmet terroriste, u kërkoi amerikanëve që të mos krijojnë ndarje.

“Nuk ishte feja që na sulmoi atë ditë shtatori. Do të mbajmë gjallë vlerat e kombit tonë”, tha Obama, ndërsa vendosi kurora me lule në Pentagon, në nderim të viktimave.

“Duhet të japim më të mirën nga vetja jonë dhe nuk duhet të biem pre e tundimit për ndarje. Të jemi unikë dhe të fortë për njëri-tjetrin”, tha Obama.

Ndërkohë e gjithë Amerika kujton viktimat e asaj dite tragjike. Një minutë heshtje është mbajtur Ground Zero aty ku 9 vjet më parë dy avionë të drejtuar nga kamikazë u përplasën qëllimisht me Kullat Binjake.

Kryebashkiaku i New York, Mike Bloomberg ka mbatur fjalën e rastit para nisjes së leximit të emrave të 3 mijë viktimave të sulmeve. Shtëpia e Bardhë u prezantua në ceremoni nga zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Një minutë heshtje është mbajtur edhe në Pentagon, në prezencë të Obamës.

Top Channel